E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët të diskriminuar, të 5-tët në Evropë e Azi për shërbimin shëndetësor

ILACEETiranë- Bazuar në shpenzimet vetjake për sistemin shëndetësor, shqiptarët janë më të diskriminuarit në Evropë dhe Azi. Bazuar në raportin e fundit të Bankës Botërore vihet re se sistemi ynë shëndetësor është ndër më të pabarabartët.

Shqiptarët shpenzojnë në total rreth 750 milionë Euro në vit për trajtim mjekësor. Vetëm 40 për qind paguhen nga qeveria, ndërsa pjesën tjetër prej 60 për qind e paguajnë vetë qytetarët nga xhepi i tyre,-thuhet në raport.

Në këto kushte sistemi shëdnetësor bëhet i pabarabartë dhe favorizon të pasurit, ndërkohë që kufizon aksesin e të varfërve në shërbimet shëndetësore bazë.

Me këto të dhëna vendi ynë renditet i 5-ti në Evropë dhe Azinë qëndrore ku familjet paguajnë peshën më të madhe të kurimit nga buxhetet e tyre.

Shqipëria renditet pas Azerbajxhanit, Taxhikistanit, Gjeorgjisë dhe Armenisë. Sakaq nëse shihen të dhënat e BE-së: Për 17 për qind të familjeve shqiptare shpenzimet për mjekim janë katastrofike, sepse e kalojnë 10 për qind të të ardhurave të tyre,-thuhet në raport çka do të thotë se aksesi në shëndetësi për shqiptarët është më i vështirë se ai vendeve të tjera të Evropës.

Banka Botërore për matjet e saj ka përdorur një tregues, i quajtur indeksi i përqëndrimit që varion nga -1 për vendet që kanë sistem shëndetësor pro të varfërve në 1 për ato që favorizojnë të pasurit. Shqipëria e ka koifiçentin 0.2.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›