E Shtunë, 31 Tetor 2026

Donacione për SOS Fshatrat e Fëmijëve

“Ditët e Vullnetit të Mirë”, të organizuara në SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, kanë mbledhur për dhjetë ditë mbi 8 mijë euro donacione. Në përfundim të këtyre ditëve u organizua ceremonia e dhënies së donacioneve për fëmijët pa prindër, duke zhvilluar edhe aktivitete argëtuese për fëmijë.

Coca-Cola Hellenic në Kosovë, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane, Rrjetin CSR, dhe me mbështetje të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë organizuar “Ditët e Vullnetit të Mirë”, në SOS Fshatrat e fëmijëve, duke mbledhur kështu mbi 8 mijë euro donacione.

Drejtoresha e SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë, Nezahate Ramadani- Salihu, duke falënderuar të gjitha komanitë për dhurimin e fondeve, tha se fushata për mbledhjen e fondeve është shumë e rëndësishme, pasi fëmijët pa prindër kanë nevojë për një kujdes më të veçantë.

“Këta fëmijë jetojnë këtu dhe kanë nevojë për përkrahjen e të gjithëve dhe nëse të gjithë do të kishin kontribuuar në një formë aq sa mundemi, ne do të mund të ndikonim shumë më shumë në mirëqenien dhe zhvillimin e këtyre fëmijëve”, tha Ramadani-Salihu.

Drejtoresha Ramadani-Salihu, tha se SOS Fshatarta e Fëmijëve kanë filluar punë në Kosovë që nga vitit 2001 dhe nuk kanë përkrahje të kënaqshme nga kompanitë vendore.

“Këta fëmijë janë tanët dhe deri tash fondet kryesisht kanë ardhur nga jashtë, por fëmijët janë të Kosovës. Ata janë e ardhmja jonë, kështu që iu kisha lutur të gjithëve që në fushatat e ardhshme të kemi më shumë njerëz që të na përkrahin. Mund të them se deri tash nga vendorët nëse e shikojmë buxhetin total nga viti në vit vjen diku nga 5 deri në 7 për qind e buxhetit”, tha Ramadani-Salihu.

Në Fshatrat SOS jetojnë gjithsej 74 femijë, në tri projekte të ndryshme. Në projektin e parë janë 24 fëmijë të moshave nga 0 deri në tre vjeç, në projektin e dytë , SOS Familja, jetojnë 36 fëmijë të moshave 3 deri në 14 vjeç dhe është Qendra e Rinisë ku jetojnë femijët mbi moshën 14 vjeçare./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›