Shqiptari arratiset nga burgu në Itali
TERNI - Një shqiptar ka arritur të arratiset nga burgu i sigurisë së lartë në Terni të Italisë. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane të cilat shkruajnë se Taulant Toma, ka arritur të dalë nga vrimat e rrjetës, pas një ndeshjeje futbolli në këtë burg. Ai ishte i dënuar për grabitje.
Alarmi është dhënë dje rreth orës 16:00, kur është vënë re mungesa e tij. Të burgosurit kishin dalë për orarin e ajrit dhe disa prej tyre po luanin në një fushë minifutbolli. Duke kërkuar për të burgosurin e zhdukur, rojet kanë gjetur të çarë rrjetën e fushës së futbollit. Forca të shumta policie janë angazhuar për gjetjen e tij. Policia njofton se i arratisuri nga burgu është 35 vjeç dhe ka një tatuazh të dukshëm në krah, një gjarpër. Sipas mediave italiane, Toma është i lidhur me një bandë shqiptare me kapo Ilir Pajën, i njohur nga policia si disku fluturues për aftësinë e tij për t'iu shpëtuar burgjeve. Paja, i dënuar për vrasje është arratisur dy herë nga burgu.