E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga kinoklubi tek spitalet, shpërndahet Fakulteti i Drejtësisë

TIRANË - Pas një viti mësim nëpër godina të ndryshme, rektorati ka gjetur zgjidhjen për fakultetin e Drejtësisë. Të paktën kështu pretendon. Përmes një deklarate për shtyp, dy ditë para fillimit të vitit të ri akademik, Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule shprehet se "është zgjidhur problemi i mjediseve për studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhe të Fakultetit të Shkencave Sociale". "Është arritur gjetja e tre mjediseve alternative për zhvillimin e mësimit për këto fakultete", sqaron ai.

Kështu studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale do të zhvillojnë mësim në një prej godinave të Universitetit Ushtarak "Skënderbej".

Ndërsa studentët e Fakultetit të Drejtësisë do të ndahen në dy pjesë. Studentët e vitit të parë dhe të dytë do të zhvillojnë mësimin në mjediset e "Kinoklubit" të Qytetit Studenti, dhe ata të vitit të tretë dhe të katërt do të zhvillojnë mësimin në godinën e Fakultetit të Infermierisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Më 12 tetor, në ditën e parë të vitit akademik 2009-2010, pedagogët do të jenë në ish-godinën e fakultetit në Tiranë të Re, ku janë të vendosura katedrat, administrata dhe dekanati. Ndërsa studentët, ata më të rinj do ti drejtohen Qytetit Studenti për tu ndalur në hyrje të tij, aty është Kinoklubi. Ndërsa studentët më të vjetër tashmë do jenë mes bluzave të bardha, pikërisht në ish-godinën e fakultetit të Infermierisë që ndodhet brenda QSUT-së. Për oraret, programet dhe njoftime të tjera të rëndësishme, studentëve do t'iu duhet si fillim të sorollaten deri tek ish-fakulteti, ndërsa pedagogët të bëjnë linjën Tiranë e Re- Rruga e Elbasanit-Rruga e Dibrës.

E gjithë kjo, erdhi pas çarjes së mureve të godinës së fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Sociale, rreth dy vjet më parë. Të alarmuar drejtuesit universitarë kërkuan shpërnguljen e studentëve me frikën e shembjes së godinës. Ata akuzuan një firmë ndërtimi që kishte bërë pa cilësi punimet për zgjerimin e godinës. Rektori Kule fajësoi në atë kohë edhe Ministrinë e Arsimit dhe Fakultetin e Shkencave Sociale që kishin marrë në dorëzim objektin.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›