E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptari i sotëm...

Deri para viteve ’90, për popullin shqiptar ekzistonte ideja tepër ngashënjyese, ajo e barazisë (socializmi). Kjo ide u ngulit fuqishëm në mendjet e shqiptarëve, duke sjellë shpejt frytet e saj. Ajo lëkundi seriozisht themelet e shoqërive të vjetra, solli revolucionet më të stuhishme dhe e çoi botën perëndimore në një seri konvulsionesh të dhunshme, përfundimi i të cilave tashmë dihet.

Por, përparimi i shkencës provoi kotësinë e këtyre teorive barazimtare dhe hendeku mendor, i krijuar nga e kaluara, nuk mund të sheshohet kollaj, veçse me akumulime trashëgimore shumë të ngadalta. Mësimet e rrepta të përvojës treguan se institucionet dhe edukimi që i përshtaten një populli, janë shumë të dëmshëm për popuj të tjerë. Natyrisht, duke pranuar me koshiencë të plotë se në demokracitë perëndimore ekziston pabarazia që i ndan individët (të cilat hasin në kundërshti serioze), shqiptarët bënë zgjedhjen e tyre me moton: “Liri! Demokraci!” Mirëpo, është shumë e lehtë që të formohej bindja që këto pabarazi s’ishin veç pasoja e ndryshimeve të një populli në edukim. Sepse, të gjithë njerëzit lindin njëlloj, inteligjentë dhe të arsimuar, dhe vetëm institucionet i ndryshojnë. Pra, shqiptarët gjetën zgjidhjen! Atë të riformimit të institucioneve, dhe t’u ofrohej të gjithë njerëzve një arsim i njëllojtë. Kështu pra, institucionet e arsimi u kthyen në atë që demokracitë perëndimore i quajnë: “çelësa të artë”. Ato janë kthyer në mjete kurative të pabarazive shokuese për parimet e përjetshme, që janë sot hyjnitë e fundit.

Pa dyshim, historia e shqiptarëve përcaktohet prej faktorësh krejt të ndryshëm. Ajo është plot raste të veçanta dhe me aksidente që kanë ndodhur e që mund të mos kishin ndodhur. Mirëpo, duke lënë mënjanë këto rastësi e këto rrethana aksidentale, ka ligje të mëdha e të përhershme që e udhëheqin ecjen e përgjithshme të secilit popull. Ligjet më të përgjithshme, më të përhershme e më të paepura burojnë prej konstitucionit mendor të tij (popullit). Jeta e një populli, institucionet e tij, besimet dhe arti i tij nuk janë veçse indi i dukshëm i shpirtit të tij të padukshëm.

Është më mirë të mos bëhet kjo orvatje. Fryma kritike përbën një cilësi fort të rrallë, ndërkohë që fryma e imitimit përfaqëson një veti pambarimisht më të përhapur, sepse shumica dërrmuese e mendjeve i pranon pa diskutim idetë e gatshme që ia furnizon opinioni dhe që ia transmeton edukimi. Dhe kështu ndodh që nëpërmjet trashëgimit, edukimit, mjedisit, infektimit, opinionit shqiptarët e çdo brezi kanë një tërësi konceptimesh mesatare që i kthen posaçërisht të ngjashëm me njëri-tjetrin. Të ngjashëm në atë pikë, sa, pasi të kenë rënduar shekujt mbi ta, ne njohim epokën, kur kanë jetuar nëpërmjet prodhimeve të tyre artistike, filozofike apo letrare. Pa dyshim që nuk do të mund të thuhej se ata ishin kopje absolute të njëri-tjetrit, por ajo çka kemi pasur të përbashkët me ta, ishin mënyrat që çuan domosdoshmërisht në prodhime fort të afërta.

Duhet të lumturohemi që është kështu, sepse është pikërisht ky rrjet traditash, idesh, ndjenjash, besimesh dhe mënyrash të përbashkëta të të menduarit që formojnë shpirtin e një populli. Në realitet është ai dhe vetëm ai që i mban në këmbë kombet; dhe ai nuk shpërbëhet pa u shpërbërë menjëherë dhe këto kombe. Ai njëherazi është fuqia dhe Zoti i vërtetë i tyre. Në Lindje, sidomos rrjeti i traditave është i fuqishëm. Traditat fetare, aq të tronditura te ne, i ruajnë atje të gjitha fuqitë e tyre dhe despoti më fantazist nuk përplaset asnjëherë me këta dy sovranë, që ai i di se janë pafundësisht më të fuqishëm se ai: me traditën dhe opinionin.

Shqiptari i sotëm gjendet në një prej atyre periudhave të rralla kritike të historisë, ku idetë e vjetra prej nga buron origjina e tij e kanë humbur mbretërinë e tyre dhe idetë e reja nuk i ka krijuar ende, kështu që lejohet diskutimi. Shqiptari i sotëm i kërkon ende idetë që do të shërbenin si bazë për një shtet të ardhshëm social dhe këtu qëndron rreziku për të. Ajo që ka rëndësi në historinë e Shqipërisë dhe ajo që ndikon mbi fatin e saj, nuk janë luftërat apo revolucionet – rrënojat e tyre fshihen shpejt – por janë ndryshimet në idetë themelore. Edhe këto nuk bëhen pa u dënuar në të njëjtën kohë që të transformohen edhe të gjithë elementët e qytetërimit. Revolucionet e vërteta, të vetmet që janë të rrezikshme për ekzistencën e një populli, janë ato që prekin mendimet e tij. Nuk është adaptimi i ideve të reja që përbën një rrezik për një popull sesa tentativat e njëpasnjëshme të kërkimit të ideve, të cilat janë të destinuara të dështojnë përpara se të gjenden ato mbi të cilat mund të ngrihet në mënyrë të qëndrueshme ndërtesa e re sociale, e destinuar për zëvendësimin e së vjetrës. Sigurisht, nuk është puna se një ide është e gabuar, ngaqë është e rrezikshme, por se duhen eksperimente të gjata e të përsëritura për të mësuar nëse idetë e reja mund të përshtaten me nevojat e shoqërisë që i adapton. Fatkeqësisht, shkalla e dobësisë së tyre vlerësohet nga populli nëpërmjet eksperiencës.

Shqiptarët duhet të ruhen nga mekanizmi i shthurjes. Shqiptarët, duke mbërritur në atë shkallë qytetërimi dhe fuqie, ku duke qenë të sigurt se nuk mësohet më nga fqinjët, do të fillojnë të gëzojnë të mirat e paqes dhe mirëqenien që ia japin pasuritë; virtytet ushtarake humbasin, teprimet e qytetërimit krijojnë nevoja të reja dhe egoizmi rritet. Shqiptarët, duke mos pasur ideal tjetër veçse të shijuarit me ngut të të mirave të fituara shpejt, ia lënë drejtimin e çështjeve publike shtetit dhe nxjerrin me shpejtësi të gjitha cilësitë që kanë krijuar madhështinë e tyre. Atëherë, fqinjët barbarë apo gjysmë barbarë, duke pasur nevoja shumë të pakta, por një ideal tepër të fuqishëm, “e pushtojnë” Shqipërinë dhe më pas krijojnë një qytetërim të ri me mbeturinat e atij që porsa përmbysën. Pa dyshim unë nuk mund t’i njoh botës reale (shqiptarëve) veçse dukjet e jashtme dhe gjendjet e thjeshta të ndërgjegjes, vlera e të cilave është në mënyrë të dukshme relative.

Por, kur qëndrojmë në pikëpamjet shoqërore, mund të themi se për një shoqëri të caktuar kemi të bëjmë me kushte ekzistence, ligje morale dhe institucione, që kanë një vlerë absolute, për sa kohë kjo shoqëri nuk mund të mbijetojë pa to. Dhe, kur vlera e tyre kundërshtohet dhe dyshimi përhapet mbi shpirtra, ajo shoqëri është e dënuar të fiket. Shqiptarët po humbin dita-ditës iniciativën e tyre, energjinë, vullnetin dhe aftësinë për të vepruar. Përmbushja e nevojave materiale, gjithmonë në rritje, priret të bëhet ideali i tyre i vetëm. Familja ndahet, lidhjet shoqërore largohen. Pakënaqësia dhe shqetësimi po shtrihen në të gjitha klasat, nga ato më të pasura deri tek ato më të varfrat. Shqiptari i sotëm endet sipas dëshirës së rastit, ashtu si ajo anija që ka humbur busullën e bredh kuturu sipas trillit të valëve. Në pamje të jashtme duket sikur shqiptarët e dëshirojnë me zjarr lirinë; në të vërtetë e shtyjnë atë gjithmonë e më larg vetes dhe i kërkojnë shtetit që të farkëtojë zinxhirin për ta. Ata iu binden verbërisht sektarëve më të errët dhe despotëve më të ngushtë. Oratorët pompozë që besojnë që i udhëheqin masat, por që më shpesh i ndjekin ato, konfondojnë padurimin dhe nervozitetin duke i bërë vazhdimisht këto si zotër, në vend të shpirtit të vërtetë të pavarësisë, e duke mos lejuar asnjë zot.

Shteti, cilido qoftë regjimi i tij nominal, po bëhet hyjnia drejt të cilit po kthehen të gjitha partitë. Atij po i kërkohet një rregullim i punëve dhe një mbrojtje gjithnjë e më e rëndë, duke i veshur edhe aktet më të vogla të jetës me formalitetet më bizantine dhe më tiranike. Rinia shqiptare po heq dorë përherë e më tepër nga karrierat që kërkojnë gjykim, iniciativë, energji, përpjekje vetjake apo vullnet. Atë e tmerrojnë edhe përgjegjësitë më të vogla. Asaj i mjafton horizonti i ngushtë i funksioneve të paguara nga shteti. Tregtarët shqiptarë iu tremben udhëve të kolonive që popullohen vetëm prej funksionarëve. Energjia dhe veprimi janë zëvendësuar ndër burrat e shtetit me diskutime vetjake, tmerrësisht të zbrazëta; te shqiptarët e thjeshtë ato janë zëvendësuar me entuziazmin apo zemërimin e një dite, ndërsa te të kulturuarit janë zëvendësuar me një lloj sentimentalizmi vajtues, të pafuqishëm e të turbullt, si dhe me disertacione të zbehta mbi mjerimin e ekzistencës. Kudo lulëzon një egoizëm i pafre. Shqiptari i sotëm ka përfunduar në të mospasjen e preokupimeve të tjera veç vetes. Ndërgjegjet kapitullojnë, moraliteti i përgjithshëm bie dhe gradualisht shuhet. Shqiptari i sotëm po humb çdo zotërim mbi vetveten. Ai nuk di më të përmbajë veten; dhe kush nuk di të zotërojë veten, shpejt do të jetë i shtrënguar të dominohet prej të tjerëve. Ndryshimi i gjithë këtyre punëve do të jetë një punë e vështirë. Rolin themelor në historinë e një populli, e luan vetë karakteri i këtij populli, i cili formon fatin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›