E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadat, ambasadorët dhe ambasadoret

Më në fund qeveria e Kosovës emëroi të ngarkuarit e parë me punë apo ambasadorët, të cilët do të përfaqësojnë interesat kombëtare në disa prej vendeve që tashmë edhe zyrtarisht njohin pavarësinë e Kosovës.

Si gjithnjë, edhe tani, disa u pajtuan me emrat që do na përfaqësojnë në politikën ndërkombëtare, por krahas kësaj doemos se janë edhe ata që emërimin e këtyre individëve e presin me skepticizëm. Në vazhdën e këtyre të fundit hyjnë edhe gratë tona intelektuale, të cilat nuk ishin të pajtimit me faktin se asnjë nga këta përfaqësues nuk i takonte gjinisë femërore. Pra, edhe kësaj radhe përkundër vullnetit dhe zemërgjerësisë së grave që këto punë që kërkojnë goxha marifet, t’i ndajnë më burrat, kjo nuk iu mundësua.

Më kujtohet kur zhvillonte negociatat me Serbinë, Ekipi i Unitetit, ishte vënë në pah pakënaqësia e grave; ato kërkonin që në këtë “Ekip” të kishte edhe femra. Vërtet, as atëherë, as tani nuk e kam ditur (di) arsyen pse aq me ngulm kërkonin këto gra të bisedonin me Serbinë, apo pse me aq ngulm kërkojnë të emërohen ambasadore eventuale në shtetet mike (gjithsesi, shtete mike duhet konsideruar ato që njohën pavarësinë e vendit) të Kosovës.

A duhet të jesh ambasadore, presidente, kryeministre, nëse vetëm je grua? E di, është e rëndësishme t’iu themi shokëve, shoqeve se unë ushtroj punën e kryeministrit, ambasadorit, kryetarit etj., etj., ama para kësaj i duhet thënë vetes, jo vetëm gratë edhe burrat; a do të mundem t’i dal zot kësaj pune?!

Përderisa fatkeqësisht në shoqërinë tonë (jo në botën perëndimore) nuk na intereson gjë tjetër përveç posteve, dhe detyrat eventuale me rëndësi kombëtare i perceptojmë vetëm si privilegje, pak do ecim përpara. Ja çka ndodh në Kosovën tonë...! As edhe një i vetmi njeri në vendin tim, i cili është punësuar në institucione publike, nuk është punësuar në mënyrë transparente, të gjithë janë punësuar pa kurrfarë konkursi, vetëm kur kemi dëgjuar se filani është bërë këshilltar, përfaqësues, ‘Hamam i Hyrës’, e ku ta di unë se çfarë. Mendoj se kjo praktikë duhet të ndërpritet, përndryshe dikush duhet të japë llogari për këto.

Po ua tregoj një detaj. Para tre muajsh pata konkurruar si ‘Dorëzues’ në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, edhe pse thënë të drejtën kundër- kandidatë kisha disa individë që, nëse jo diçka tjetër, një fjali nuk mund ta thurnin pa gabime, unë as që erdha në shprehje të punësohem. Mbase psenë mund ta merrni me mend, unë kisha konkurruar si konkurrohet, jo me bishta. Tash e katër vite punoj si kamerier në restorante të kryeqytetit dhe këtë punë e kam gjetur falë së vërtetës se aty nuk ka me të “njohur”, aty punësohesh, ngaqë punëdhënësit i nevojitet punëtori, jo akrabaja.

Përkundër punës së pakontestueshme të ministrit Hoxhaj, në Kosovë ka me mijëra të punësuar në arsim, të cilët nuk kanë kurrfarë kualifikimi, ndërsa me mijëra të tjerë bredhin rrugëve përkundër asaj se janë të kualifikuar. Meqë jemi këtu, po ua tregoj edhe një detaj. Besoj të keni durim.

Para disa muajve pati dalë një “konkurs” (te ne fjala konkurs mendoj se gjithnjë duhet vënë në thonjëza) për mësues klasor në një shkollë fillore të kryeqytetit dhe duke dashur të punësohem në këtë profesion, konkurrova. Dhe, a e dini çfarë përgjigjeje pata marrë nga të punësuarit në komunë? “Po ti paske shumë shkollë për të qenë mësues!” Mendova, injoranca nuk paska shkallë përcaktimi, ajo qenka pa kufij. E njëjta gjë më kishte ndodhur edhe aty ku “monitorohet drejtësia”, në Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Mendoj se ky avaz i të punësuarit duhet urgjentisht të ndërpritet, përndryshe në kohë dhe rrethana të caktuara, dikush duhet të japë llogari për këtë.

Është absolutisht i pafalshëm fakti se në opinionin e gjerë është krijuar bindja e vërtetë se në Kosovë nuk mund të marrësh as edhe “gradën e pastruesit”, siç shprehet vëllai im, pa pasur të njohur. Nuk e di, vetëm se ambasadorët i gëzofshin detyrat që i kanë marrë dhe sinqerisht mendoj se, edhe pse nuk kishte gra, për fillim janë disa emra të kënaqshëm që do na përfaqësojnë në politikën ndërkombëtare. E për neve që njohim ligjin, rregullin, përgjegjësinë qytetare, (edhe pse tashmë, edhe në do ishim punësuar me të njohur, sikur normal do kishim mundur!), besoj të vijnë ditë më të mira, ngaqë, siç shprehej xhaxhai im njëherë e dikur: “As përmbytja nuk ka zgjatur përgjithmonë”.

ilir_dmx@hotmail.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›