Flamuri ndan formularët për degën e Tiranës
Kandidimi i Besnik Mustafajt për degën e Tiranës ka ngjallur shqetësim të madh në selinë e PD. Flamuri, i cili mban çelësat e PD, ishte i pari që reagoi për lajmin. Pasi qeshi me ironi për kandidimin, shpjegoi pamundësinë e Mustafajt për të fituar.
- Nuk e kuptoj se si do fitojë ky Besniku. Së pari, çelësin e degës së Tiranës e kam unë. Olldashi, që është kryetar, s’e ka marrë asnjëherë që nga 2004. As ma ka kërkuar, as ia kam dhënë. Nishani e ka pas ca kohë, se ka qenë sekretar i degës, por pas 2005 ia mora dhe kam ndërruar bravë. Kështu që as ai nuk e ka. Ai Biberaj ka pas një kopje, se e kishte zakon të keq që shkonte në zyrë dhe jepte deklarata, por, që kur ndërrova bravën e jashtme, as ai s’ka kopje. Kështu që nuk e kuptoj si do bëjnë fushatë këta pa pasur çelësin.
Së dyti, nuk e kuptoj këtë punën e Besnikut që kandidon pa leje. Sa shpalli emrin, unë i vura një tre tropojanë ta mbështesin publikisht, që të duket si luftë tropojanësh. Po ai budalla nuk reagoi. Ai nuk e di që nuk ka nevojë ta mbështesin gjithë tropojanët. Vetëm njëri duhet ta mbështesë dhe fiton. Mjafton ai burri. Po ai burri nuk e mbështet Besnikun, ndaj kot e ka. Këta tropojanët e tjerë janë thjesht numër. Vetëm një ka rëndësi.
Së treti dhe që është më e rëndësishmja, unë kam kaq kohë këtu dhe akoma s’po shpall kandidaturën. Po të jetë për Tiranën, unë s’ia lëshoj njeriut vendin. S’e ka pas kurrë asnjë kuksian degën e Tiranës. Tropojanët e kanë pasur një herë, kur ishte Shaban Memia. Ne s’na e kanë lënë asnjëherë. As mua, as Jeminit. Tani na takon ne. Se kështu duhet të zbresë, nga Tropoja drejt jugut. Për 20 vjet u bie radha tironsve ta kenë kryetarin e tyre. Unë e njoh degën në pëllëmbë të dorës. I di të gjitha seksionet lagje më lagje. Shumicën e tyre i takoj përditë, se janë pa punë dhe vijnë këtu rrotull për ndonjë punë. Po të jetë për kandidat, unë e fitoj për pesë minuta. Një llaf nga ai burri më duhet.
- Po kush i nxjerr këto fjalët për kandidatët?
- Për tropojanët i kam nxjerrë vetë. Ma ka fut ai Biberaj, se ka bërë deklaratë që mbështet Mustafajn, se do ta kisha nxjerrë dhe atë kandidat. Por tani do fus Azganin. Ia tregoj unë qejfin atij. Se nuk e harroj kohën kur bënim fushatë për atë në Tiranë. Na pyesnin këta të “TV Klan”-it, se atëherë ishin me Ramën. “Nga jeni ju?”...Nga Tirona, i thoshim. “Për kë votoni?”...Për Besnikun, i thoshim, na ikte goja. Dhe e nxorën ata në televizion dhe aq deshi, u bë barsoletë. Tani që “Klan”-i është me ne kundër Besnikut, ia tregoj unë qejfin. Kam hapur nja katër-pesë emrash tropojanësh si kandidatë sot që ta bëj banale.
- Po cilët janë kandidatët realë përveç teje?
- Kë të caktojë ai burri, ai është kandidat. Unë them që unë jam më i kompletuari. Kërkon dhe ky Ben Imami me Gjergj Bojaxhiun, por ta harrojnë. Ai Ben Imami bën sikur ka porosi nga ai burri, ngaqë është shef kabineti, po nuk e ha atë unë. Kurse ai Bojaxhiu është naiv fare. Ai më thotë, më jep çelësat, se dua të kem zyrë në PD. S’kam parë njeri më të marrë se ai. Si guxon të më kërkojë mua çelësat e PD?! Nuk e kuptoj këtë budallallëk. Ndoshta nuk e njeh mirë situatën. Mendon se është shesh me lule këtu. Hajde këput një tufë e ik. Mua më kanë rënë kockat këtu duke ruajtur selinë, mos të hyjë njeri, vjen tjetri nga rruga drejt e brenda dhe kërkon çelësat. Pikë e zezë thuaj. Po ç’t’i bëj atij burrit që iu hap syrin këtyre, se ia tregoj unë qejfin.
- D.m.th., Mustafaj, sipas teje, nuk ka shanse të fitojë?
- E para, nuk ka zgjedhje. Ai ka kapur një fjali kot të Patozit që thotë se në shtator fillojnë zgjedhjet dhe e ka marrë seriozisht. Sa themi ne nga ato, kush na i vë re. Ai e ka mbajt shënim dhe do të tallet me ne. Po dimë dhe ne të tallemi me atë. Zgjedhjet kanë për t’u bërë në shkurt dhe jo tani. Deri atëherë ia tregoj unë, kur t’i nxjerr nja 5 tropojanë të tjerë kandidatë. Dhe rojën e parkingut do t’i nxjerr, dhe atë të lavazhit. Do t’u jap nga një formular të gjithëve. Do t’i vë para PD të kërkojnë formularin.