E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sintaksa politike e kryeprokurores

Kryeprokurorja, Ina Rama, u shfaq dje e ndrojtur para kamerave duke formuluar për herë të parë një qëndrim të saj ndaj projektligjit të debatuar për prokurorinë. Përgjigjja e saj rreth një pyetjeje, e cila nuk është objekt i debatit publik, në të vërtetë prodhoi një debat të ri publik, krejt i ndryshëm nga debati real. Duke përdorur cektësinë e reportereve që mbajnë vetëm mikrofonat, disa ekrane pro qeverisë shpërthyen festën që kryeprokurorja nuk ishte e pakënaqur nga cenimi i mundshëm i kompetencave të saj, ndërsa disa të tjerë u hutuan po ashtu nga fjalia e saj dhe pranuan se ajo është dakord me projektligjin e qeverisë. Në të vërtetë, as njëra, as tjetra nuk ndodhi. Pikësëpari, kryeprokurorja u pyet për cenimin e mundshëm të kompetencave të saj dhe ajo u përgjigj që nuk ndjehet e cenuar. Dhe realisht projektligji nuk cenon kompetencat e saj. Askush nuk e ka thënë këtë deri më sot dhe asnjë debat publik nuk është zhvilluar rreth kësaj teme. Projektligji i qeverisë, edhe pse ka qenë deri më sot thuajse ilegal, nuk e ka qarkulluar në asnjë moment këtë temë. E vetmja tezë e qarkulluar prej qeverisë ka qenë cenimi i imunitetit të prokurorëve ose, si u modifikua më pas rrugës, krijimi i një kuadri të veçantë ligjor për të përcaktuar imunitetin e prokurorëve, ku veçohet Prokurorja e Përgjithshme.

Debati ka nisur fillimisht jo nga projektligji, por nga konteksti, në të cilin u nxitua të çohej në Kuvend projektligji. Konteksti ishte një frymë armiqësore në rritje ndaj kryeprokurores, gjeste nervoze të pushtetit ndaj saj, skandali në Kuvend, ku u zbuan diplomatët perëndimorë, vetëm të mos ishin gjatë fjalës së saj në Kuvend, përpjekja për t’i diktuar asaj pistat e hetimit të Gërdecit etj. Historia nis me një takim të muajit korrik të diplomatëve amerikanë në Ministri të Drejtësisë, dhe konfuzioni që injektoi tek ata ministri Alibeaj, më pas deklarata e një diplomati amerikan në Tiranë kundër qeverisë për këtë shkak, dhe vijoi në fillim të këtij muaji me ringjalljen e shqetësimeve politike për ligjin. Pra, problemi i parë dhe kryesor ka qenë konteksti, në të cilin po nxitohej të rihartohej ligji dhe brenda këtij konteksti shihej si alarmante çështja e imunitetit të prokurorit, si dhe disa hile të vockla ligjore rreth mandatit të tij.

Ky kontekst nuk ka ndryshuar. Nuk e ka ndryshuar as mungesa e përvojës së kryeprokurores, kur del papritur para kamerave dhe bie në spiralen e pyetjeve që nuk kanë kërkuar ndonjëherë përgjigje.

Përderisa ky kontekst nuk ka ndryshuar, shqetësimi për projektligjin e prokurorisë nuk është shuar. Cilësia e përmbajtjes së projektligjit duhet të bëhet objekt i debateve në Komisionin e Ligjeve dhe në opinionin publik dhe nëse qeveria e tejkalon këtë problem, atëherë është për t’u përshëndetur. Diplomatët amerikanë në Tiranë janë duke punuar publikisht të rrethojnë qeverinë në këtë pikë dhe, nëse ka pak inteligjencë politike, ajo duhet t’i bashkohet versionit më pak dyshues për ta. Pas kësaj, edhe pse konteksti mbetet, dyshimi mund të zhduket. Por dyshimet nuk mund të zhduken nga keqpërdorimi sintaksës politike të zonjës Rama, e cila akoma skuqet, kur i dalin para kamerat. Nëse ajo ka vendosur të shpjegohet për projektligjin, është një gjë shumë e mirë dhe duhet ta bëjë sa më parë. Është një lajm i gëzuar dhe fakti që qeveria mund të tërhiqet nga pikat provokuese në ligj. Por lajmi i djeshëm as të bënte entuziast dhe as pesimist për këtë çështje, pasi nuk fliste mbi atë çfarë ka ngjallur shqetësim, por për një gjë që askush nuk ka pritur të sqarohet. Për këtë shkak zonja Rama ka rast të na gëzojë vërtet me ndonjë lajm të mirë, duke na thënë se nuk ka asnjë problem me projektligjin e përgatitur. Por të na e thotë për projektligjin dhe jo për pjesë të veçanta të tij, të cilat natyrisht janë shumë të mira ose të pandryshuara. Ajo duhet të bëjë kujdes as mos të na gëzojë kot dhe as mos të na shqetësojë kot për këtë çështje. Thjesht të na njoftojë se ky projektligj nuk përbën më një problem për institucionin e saj dhe të gjithë do ndjehemi të qetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›