E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptari rëndë në spital

30/04/2010 Pajtim Madri bie në koma. Policia vazhdon hetimet për identifikimin e autorëve

Familjarët: U aksidentua

GREQI- Vazhdon të qëndrojë në koma, shqiptari që pak ditë më parë u dhunua barbarisht nga disa ekstremistë grekë, emri i të cilëve vazhdon të mbetet i pazbardhur nga policia helene. Pajtim Mandri, 35 vjeç, nga zona e Dibrës është zgjuar vetëm për disa minuta, dhe më pas ka rënë sërish në koma. Sipas mjekëve, shëndeti i tij është i përkeqësuar, dhe aktualisht po bëhet maksimumi për t’i shpëtuar jetën. Mandri ka dëmtime të rënda në pjesët e brendshme të barkut, mëlçisë dhe mushkërisë, të cilat janë përshkuar nga druri që i kanë futur nga prapa 35-vjeçarit shqiptar. Sipas shtypit helen, policia e qytetit të Hainase, si dhe ekspertë të Krimeve të Rënda kanë filluar hetimet, me qëllim identifikimin e plotë të ngjarjes. Fillimisht janë marrë në pyetje familjarët e 35-vjeçarit shqiptar, të cilët kanë mohuar që i afërmi i tyre të jetë keqtrajtuar prej disa të rinjve grekë. Të njëjtit version i ka qëndruar edhe vëllai i Pajtim Mandrit, Bilbili, i cili i ka thënë grupit hetimor se plagët dhe dëmtimet 35-vjeçari i ka marrë në një aksident. Mirëpo këtyre dëshmive nuk i kanë besuar agjentët e policisë dhe prokurori i Haniasë, të cilët prej ditësh kanë administruar në dosje raportin mjeko-ligjor të hartuar nga një ekspert. Mediat greke duke ju referuar burimeve të tyre shkruajnë se gjatë këqyrjes eksperti ka konstatuar se 35-vjeçari Pajtim Mandri jo vetëm që është rrahur, por në të njëjtën kohë mbi trupin e tij janë kryer akte çnjerëzore. Nisur nga këto të dhëna aktualisht në ishullin e Kretës është ndërmarrë një hetim i gjerë, ku në skaner të policisë kanë kaluar një pjesë e mirë e shoqërisë së Pajtim Madrit dhe personat që shoqërohej kohët e fundit 35-vjeçari. Ngjarjen në fjalë është duke e ndjekur hap pas hapi edhe ambasada shqiptare në Athinë, ku përfaqësues të saj kanë vizituar familjen e 35-vjeçarit shqiptar, si dhe kanë kërkuar informacion mbi ngjarjen nga autoritet policore të Greqisë. Këto të fundit kanë ngritur një sërë pistash hetimore, që mendohet se kanë sjellë ngjarjen e rëndë, por në fakt deri tani asnjë person nuk është arrestuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›