Shqiptarja mashtron pensionistin italian

Policia italiane, foto arkiv
Një 44-vjeçare shqiptare akuzohet se ka përfituar rreth 200 mijë euro nga një pensionist në Itali, duke u shtirur si e dashuruar pas tij.
Policia e qytetit të Cuneo-s po heton mbi rastin e emigrantes shqiptare R.L, e cila dyshohet se ka shfrytëzuar ekonomikisht një pensionist me banim në Mondovi.
Një i afërm i 69-vjeçarit italian ka sinjalizuar këtë histori dashurie, nga e cila me sa duket gruaja shqiptare ka përfituar shuma të mëdha parash.
Mësohet se, miqësia fillestare e transformuar më pas në një lidhje më të ngushtë, ka shtyrë të moshuarin që për vite të tëra ti dhuronte shuma parash gruas shqiptare. Edhe kur ajo ishte kthyer në Shqipëri, ai vazhdonte ti dërgonte para për të mbajtur familjen dhe për të përballuar shpenzime nga më të ndryshmet. Taksa, pagesa për sëmundje të rënda, borxhe dhe deri në një shtatzëni që mendohet se gruaja ka trilluar për të shfrytëzuar situatën.
Sipas 44-vjeçares, nga marrëdhënia me pensionistin italian, ajo kishte lindur dy binjakë, njëri prej të cilëve kishte vdekur. Gjithçka kishte ndodhur në Shqipëri, larg syve të 69-vjeçarit, ku ky i fundit e mendonte veten baba të fëmijëve dhe ndihej i detyruar moralisht të paguante për ta.
Në pritje të verifikimeve mbi vërtetësinë e atësisë, është ngritur padi kundër gruas shqiptare. /E.L/