E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqyrtimi i aplikimit, Shqipëria do të duhet të presë

Gazeta turke, “Sunday’s Zaman” shkruan për integrimin e Ballkanit

“Vetëm Kroacia e ka të sigurt integrimin në Bashkimin Europian, ndërsa Shqipërisë dhe Malit të Zi do t’i duhet të presin për një kohë të gjatë”, thuhet në një shkrim të Amanda Paul, të botuar dje në gazetën turke në gjuhën angleze “Sunday’s Zaman”. Në shkrim theksohet se, nëse Turqia ka probleme për të marrë konsensusin e 27 vendeve të BE-së, Kroacia ka tashmë mbështetjen e të gjithë anëtarëve të klubit të Europës dhe integrimi i saj mund të quhet i mbyllur. Kroacia i ka mbyllur në mënyrë të suksesshme bisedimet në 17 nga 33 paragrafët e negociatave dhe tani priten që për 11 kapituj e tjerë, bisedimet të zhvillohen në korrik. Realisht integrimi i Kroacisë do të jetë edhe një lajm pozitiv për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Por është fakt që nëse Kroacia ka pasur një perspektivë më të qartë, progresi i vendeve të tjera është i ulët. Maqedonia është një vend që ka marrë statusin e vendit kandidat, por nuk ka një datë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, pasi ende nuk është zgjidhur çështja e emrit me Greqinë. Shqipëria dhe Mali i Zi kanë aplikuar për statusin e vendit kandidat dhe Komisioni Europian po ekzaminon këto kërkesa. Por ky është një proces që do të dojë shumë kohë dhe disa muaj deri sa dosjet të kalojnë në Këshillin e Ministrave për të marrë një vendim. Edhe Serbia ka aplikuar për statusin e vendit kandidat që në dhjetor të 2009-s, por dosjet e saj nuk kanë kaluar ende në Komisionin Europian. Por problemi më i madh mbetet Bosnjë-Hercegovina (duke përjashtuar rastin special të Kosovës) që ende nuk ka aplikuar për statusin kandidat. Bosnja është zhytur në një situatë të rëndë ndërmjet dy etniteteve juridike siç është Republika Serbska dhe Federata e Bosnjë-Hercegovinës. Në fakt vetëm ky shtet bashkë me Shqipërinë dhe Bosnjën mbeten të penalizuar nga vendimi i BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›