Berisha, urime nga homologu holandez
Kryeministri i Holandës uroi dje homologun e tij, Sali Berisha, për zgjedhjet e 28 qershorit dhe fitoren e koalicionit të djathtë. Urimet për zgjedhjet parlamentare vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes për ndërkombëtarët. Kryeministri Jan Peter Balkenende uroi kryetarin e PD-së, Sali Berishën, për rizgjedhjen e tij në detyrën e Kryeministrit nëpërmjet një letre. "Ju lutem pranoni përgëzimet e mia të sinqerta për rizgjedhjen tuaj si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Unë ju uroj të keni sukses në angazhimet tuaja dhe në detyrat që ju parashtrohen", shkruhet në mesazhin e Balkenende. "Pres me padurim të vazhdoj bashkëpunimin me ju, si në nivelin bilateral ashtu edhe në atë multilateral. Kujtoj këtu bashkëpunimin tonë më kuptimplotë se asnjëherë tjetër, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Unë gjithashtu shpresoj që vendi juaj të vazhdojë të njohë progres në hapat drejt integrimit europian", thotë kreu i qeverisë holandeze.