Shqyrtohet kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor ndaj incidentit në Vjenë

Kuvendi i Shqipërisë pritet të shqyrtojë sot në seancë plenare kërkesën e një grupi deputetësh të mazhorancës për ngritjen e komisionit hetimor për incidentin e Vjenës mes kryetarit të opozitës Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka.
Mazhoranca akuzon Ramën se ka dëmtuar imazhin vendit duke dhunuar diplomatin. Disa dëputetë të Partisë Demokratike depozituan të premten që shkoi në parlament kërkesën për ngritjen e Komisionit “për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të incidentit të datës 24 prill në Akademinë Diplomatike të Vjenës.”
Kërkesa e deputetëve të mazhorancës parashikon që objekti i punës së komisionit të jetë hetimi për zbardhjen e plotë të fakteve dhe rrethanave të incidentit të datës 24 prill, si dhe hetim të plotë të veprimeve dhe përgjegjësive të individëve të përfshirë në këtë incident, transmeton NOA.
Relacioni shoqërues i kërkesës parashtron fakte të hollësishme mbi dinamikën e ngjarjes. Po ashtu, kërkesa argumenton dhe përputhshmërinë ligjore të nismës së mazhorancës, në kuadër të veprimtarive të komisioneve hetimore parlamentare.
Kryeministri Sali Berisha, i cili ishte edhe nismëtar i ngritjes së këtij komisioni hetimor e ka quajtur incidentin e Vjenës” incident të paprecedent diplomatik.” /Indeksonline/