E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’u besojnë grave për kryetare!

Nga 36 komuna, në të cilat do të mbahen zgjedhjet lokale në vjeshtën e sivjetme, mësohet se vetëm partia e Ramush Haradinajt tashmë ka vendosur që Donika Kadaj-Bujupi të jetë kandidatja femër për kryetar të Komunës së Istogut, derisa subjektet tjera politike thonë se ende nuk kanë ndarë mendjen nëse do të kandidojnë ndonjë grua për të marrë “timonin” e udhëheqjes së pushtetit lokal.

Vetë gratë që merren me politikë tash e sa vite, thonë se kur kihet parasysh fakti se mbi 50 për qind e popullatës se përgjithshme i takon gjinisë femërore, kandidimi i femrave për të udhëhequr ndonjërën nga komunat e Kosovës është shumë i vogël. Sipas tyre, edhe pse është bërë një përparim nga periudha e pasluftës, megjithatë pozicioni i gruas nuk është në nivel e duhur.

Gazeta “Zëri” nga burimet e saj ka mësuar se Donika-Kadaj-Bujupi e AAK-së do të jetë kandidate për kryetar të Komunës së Istogut, derisa kontakti me të ka qenë i pamundur.

Deputetja e kësaj partie Teuta Haxhiu tha se partia e saj me në krye Ramush Haradinajn, asnjëherë nuk e ka parë femrën e Aleancës si numër apo kuotë, por si vlere tepër të çmuar njerëzore, duke i dhen çdoherë përkrahjen e parezervë për ecje përpara. Ajo tha se viteve të fundit ka pasur avancim të femrës pothuajse në të gjitha poret e jetës, e në këtë drejtim edhe në politikë.

“Natyrisht pa as me te voglin dyshim Aleanca brenda vetes ka edhe femra te shquara dhe mjaft të përgatitura profesionalisht dhe politikisht për te udhëhequr edhe me komuna”, ka thënë deputetja Haxhiu.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, e cila është edhe nënkryetare e Aleancës për Kosovë të Re (AKR), është zgjedhur kryetare e Degës së AKR në Gjakovë, por ajo nuk ka konfirmuar kandidaturën e saj për kryetar të kësaj komune.

“Ende nuk kanë vendosur nëse do të jem kandidate e AKR-së për kryetar të komunës”, ka thënë Kusari-Lila, e cila mandatin e kaluar i kishte hyrë garës për të marrë udhëheqjen e qytetit prej nga vjen ajo, porse pati humbur garën karshi kandidatit të AAK-së, Palë Lekaj.

Megjithatë, merret vesh, se ajo do t’i hyjë edhe një herë garës me synimin që ta sfidojë kryetarin aktual të Gjakovës, Palë Lekaj dhe të marrë udhëheqjen e kësaj komune.

Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, e cila është nënkryetare e PDK-së, thotë se subjekti i saj politik ende nuk ka përcaktuar kandidatët e saj për kryetar të komunave për zgjedhjet lokale, derisa ka përjashtuar mundësinë se do të jetë kandidate nga partia e saj për të qeverisur me Prishtinën.

“Tash për tash jo, në të ardhmen si dihet”, ka thënë ajo. Pasi ka folur për përfshirjen e gruas në shumicën e strukturave drejtuese të PDK për më shumë se 30 për qind, megjithatë Çitaku konsideron se fermave në Kosovë nuk i është dhënë hapësira e mjaftueshme.

”Nuk do të doja asnjëherë që përcaktues kryesor për kandidatët për kryetar të komunave të jetë përkatësia gjinore, por përcaktues kryesor duhet të jenë vlerat, kualiteti, përgatitja profesionale. Është e vërtetë se femrave në Kosovë nuk është dhënë hapësira e mjaftueshme në subjektet politike, e as në subjektin në të cilën jam nënkryetare. S’ka fjalë që jo vetëm në Kosovë, por në hapësirat Ballkanike në përgjithësi, prania e femrës posaçërisht në politik dhe vendimmarrje ende shihet me rezervë dhe ende femra duhet të dëshmohet shumë më shumë se sa që dëshmohet një mashkull në politikë”, ka thënë nënkryetarja e PDK-së.Vlora Çitaku.

E deputetja nga LDK-së, Vjosa Osmani, tha se partia e saj gjatë muajit maj do të vendos për kandidatët që do të hyjnë garës për kryetar të komunave për zgjedhjet e sivjetme lokale, derisa ka shfaqur shpresën se në mesin e garuesve do të ketë edhe femra.

“Femrat në LDK nuk janë si kuotë,por të gjitha kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës me votat e qytetarëve”. Mirëpo, kryetarja e PSDK-së, Malinda Nushi, konsideron se është e domosdoshme prezenca më e madhe e femrave si në proceset vendimmarrëse ashtu edhe në politikë.”

PSDK është parti që njeh vlerat e femrës në aspektin e të qenit lider, dhe natyrisht se lista e kandidatëve që do të hartohet si një zgjedhjet lokale dhe atë parlamentare, patjetër se femra do të përfaqësohet dhe në këtë drejtim kuota prej 30 për qind do të tejkalohet”, ka thënë Nushi./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›