Shtatë civilë “kurban” në ditën e zgjedhjeve në Siri
Të paktën shtatë civilë janë vrarë të hënën në Siri, në një kohë kur në vend po mbahen zgjedhjet parlamentare.
Sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut, tre viktima janë regjistruar në një fshat në lindje të vendit, në Hama dhe Homs, ndërsa dy të tjerë në pjesën qendrore.
Zgjedhjet e sotme, të cilat nga presidenti sirian, Bashar al-Asad, konsiderohen si shumëpartiake, janë pjesë e një kompromisi për reforma politike, që ka nisur si kundërpërgjigje ndaj kryengritjes anti-regjim.
Opozita ka bojkotuar zgjedhjet, duke thënë se "i shërbejnë vetëm sundimit autokratik të Asadit".
Protestat kundër regjimit në Siri kanë nisur në mars të vitit të kaluar. Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 9.000 persona, shumica nga ta civilë, kanë humbur jetën në më shumë se një vit trazira.