Cana beson te Sandërlendi mes top-10 më të mirëve
Pas fitores së Sandërlendit ndaj Hull Sitit të shtunën, Lorik Cana, kapiteni shqiptar i “maceve të zeza”, beson te renditja e skuadrës së tij mes top-10 ekipeve më të mira të Premier League. Mesfushori kuqezi u fut në fushë si zëvendësues, duke përforcuar mesfushën e miqve që e ruajtën kështu fitoren 0-1 deri në fund. Fitorja i ngjiti “macet e zeza” në gjysmën e parë të tabelës për herë të parë që nga përfundimi i fazës së parë të kampionatit anglez. Skuadrat që i ndjekin kanë ndeshje mangët, por Cana thotë se lojtarët e Sandërlendit ende mund të rrëmbejnë një vend të lartë në top-10. “Ishte një rezultat vërtet i mirë, sepse jemi duke u përpjekur për të kapur vendin e dhjetë, tha ai për ‘SAFC TV’. Ne jemi në një pozicion të mirë dhe kemi kualitet. Fitorja këtu ishte diçka e rëndësishme për ne. Nuk është asnjëherë e lehtë të fitosh në transfertë në Premier League. Lojtarët luajtën mirë, duke treguar shpirt gare gjatë gjithë ndeshjes. Mbrojtja ishte në një ditë fantastike”. Cana u rikthye në formacion pas një dëmtimi në ije, i cili e mbajti për disa ndeshje larg fushave. Shqiptari zbuloi se u ndie mirë pas rikuperimit dhe ishte shumë i kënaqur që ndihmoi skuadrën në këtë fitore. “Supozohej të luaja 20 minuta, pasi është e vështirë të kthehesh direkt dhe të luash 90 minuta, shoti ai. Trajneri më tha se do të më aktivizonte në momentin kur të kishte nevojë për mua. Ndeshja ishte e ashpër dhe ai vendosi të më hedhë në fushë, pasi kishte nevojë për mentalitetin dhe eksperiencën time. Puna ime ishte të organizoja pak më mirë mesfushën dhe të mos e humbnin kollaj topin”. Por Cana për pak sa nuk u largua nga kjo ndeshje me një gol personal, nëse gjuajtja e tij nuk do ishte ndalur nga portieri Met Duka. “Ishte një pritje e bukur. Unë nuk kam shënuar në këtë sezon, prandaj dua vërtet të shënoj përpara se të mbyllet! Por gjëja me e rëndësishme për ne janë 3 pikët”, komentoi Cana.
#