E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatë familje në Tiranë: Po na marrin shtëpitë me dokumente false

TIRANE - Vijon nxjerrja e familjeve nga shtëpitë e ish-pronarëve në qytetin e Tiranës. 7 familje në rrugën “Xhezmi Delli”, pranë zonës së '21 dhjetorit', duket se kanë së fundmi këtë fat.

Këto familje pretendojnë se po u merren shtëpitë me dokumente të falsifikuara, ndërsa përmbaruesja private kërkon të zbatojë vendimin e gjykatës për një objekt, i cili ka qenë para vitit 1944 kazermë ushtrie.

Në këto familje ndodhen dy invalidë, ndërsa pjesa tjetër e tyre janë të papunë dhe rrjedhimisht nuk përfitojnë nga kredia e butë.

“Vijnë këtu që të na nxjerrin nga shtëpia me dhunë, pa kartelë pasurie pa asgjë. Unë kam 20 vjet nëpër gjyqe, i kam çuar, kam pasur edhe avokat të shtëpisë, dhe po të shikosh dokumentet të tëra. Këta nuk kanë dokument, nuk kanë fituar pafajësi në kohën e daljes së ligjit. Një dokument që kishin nga prokuroria e kanë të falsifikuar. Ka qenë kazermë ushtarake, gjithmonë e shtetit. Ne kemi dokumente shtetërore, s’ka qenë e këtij para 44-ë”,- shprehet një banore.

Këto familje kane rreth 60 vjet që janë vendosur në këtë kazerme. Ata e kanë përshtatur këtë objekt për banim, duke shpenzuar edhe ato pak kursime që kishin.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›