E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtatëvjeçarja recitoi poezinë me një boa dy metra të lidhur rreth qafës

Vajza shtatëvjeçare Olivia Binfield nga Kenti shokoi publikun dhe jurinë në versionin britanik të shout televiziv “Britain’s Got Talent”, duke dalë në skenë me një gjarpër të madh boa rreth qafës, shkruan Daily Mail.

Vajza në skenë doli me një fustan të zi, u prezantua dhe tha se kishte përgatitur një poezi. Kur juria i tha të fillojë ajo vrapoi prapa skenës dhe publiku i zhgënjyer mendoi se Olivia u frikësua dhe iku nga skena. Por shpejt u kthye me një ndihmës. Rreth qafe i ishte mbështjellë një gjarpër i madh me emrin Lucy, i gjatë mbi dy metra.

Të gjithë anëtarët e jurisë mbetën të tmerruar, pak edhe të shqetësuar për pamjen që shihnin në skenë. Por Olivian gjarpri nuk e pengoi aspak dhe pa problem recitoi poezinë për mbrojtjen e kafshëve të rrezikuara. Kur përfundoi, ajo i tregoi jurisë se jeton në të njëjtën shtëpi me gjarprin.

Në një moment dukej sikur gjarpri po shtrëngonte qafën e Olivias, kështu që udhëheqësit pas skenës ia bënë me shenjë jurisë t’i japë më shpejt vlerësimet e veta. Të tre vendosën që Olivia të vazhdojë më tutje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›