Magani: Ky vendim është një turp
“Jam shumë i zhgënjyer dhe sot është për të qeshur, me ato që dëgjojmë. Ky është një turp dhe nuk ka fjalë tjetër për ta përkufizuar”. Janë këto fjalët e trajnerit të Flamurtarit, Gugash Magani, vetëm pak minuta përpara nisjes drejt Shkodrës, për ndeshjen ndaj Vllaznisë. I pyetur nëse Flamurtari do të luajë rregullisht, Magani ka pranuar se ekipi është drejt Shkodrës, për të zhvilluar ndeshjen, më pas do të shihet se si do të veprohet. Ky është një turp për futbollin- shprehet trajneri i Flamurtarit. - Me këto vendime, kërkojmë të largojmë gjithmonë edhe më shumë sportdashësit nga shkallët e stadiumit, pasi këta të fundit, në Shkodër, Vlorë, Tiranë, nuk dëshirojnë skena të tilla. Futbollistë tashmë duhet të mendohen mirë përpara se të hyjnë në fushë, pasi edhe jetën nuk e kanë të sigurt dhe mbi të gjitha, nuk kanë asnjë mbrojtje nga institucionet e futbollit në Shqipëri. Sa u dënua veprimi në Laç? Ky është me të vërtetë një turp. Kemi luajtur për të respektuar publikun, për të mos krijuar precedentë të tjerë, por duket se kjo nuk i mjafton Komisionit të Disiplinës. Është Flamurtari, ndaj veprohet kështu, po të ishte një ekip tjetër sot do të flisnim ndryshe, shumë më ndryshe", - përfundon trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani.