E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatori rrit lehtë çmimet e produkteve ushqimore



Produktet ushqimore të konsumit të përditshëm kanë pësuar një ulje të lehtë në muajin shtator, krahasuar me muajin paraardhës, gushtin. Por nëse çmimet do të krahasoheshin me muajin shtator të vitit të kaluar, vihen re çmime më të stabilizuara. Inflacioni në muajin shtator 2009 rezulton të jetë më i ulët se ai i një viti më parë. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se rritje më të ndjeshme kanë pësuar zarzavatet dhe frutat. Ndërsa produktet e tjera ushqimore, veshje dhe karburante, kanë pësuar një rritje më të lehtë krahasuar me muajin gusht 2009. Sipas INSTAT-it, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin shtator 2009 arriti 103.2 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (Dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 0.8 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin shtator është 2 për qind. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 2.7 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje prej 1.7 për qind, me një ndikim prej 0.7 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 6.9 për qind vërehet në nëngrupin “Zarzavate, përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të specave me 18.8 për qind, bamjeve me 17.3 për qind, patëllxhanëve me 14.3 për qind, domateve me 6.9 për qind, patateve 5.0 për qind etj. Indeksi në nëngrupin “Fruta” shënoi një rritje prej 5.2 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të shalqirit me 34.7 për qind, pjeprit me 24.8 për qind, portokalleve me 16.5 për qind, pjeshkëve me 5.8 për qind, limonëve me 2.6 për qind etj. Gjatë muajit shtator, çmimet janë rritur pothuajse në të gjitha nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupet “Sheqer, reçelrave, mjaltë etj.”, 3.1 për qind, “Qumësht, djathë e vezë” 0.5 për qind, “mish” 0.3 për qind etj.

Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një rritje prej 0.3 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimeve të veshjeve për gra me 0.6 për qind, veshjeve për fëmijë me 0.8 për qind dhe këpucëve për gra me 0.6 për qind.

Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.6 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit shënoi një rritje prej 1.3 për qind.

Indeksi i grupit “Transport” shënoi një rritje prej 0.9 për qind. Gjatë muajit shtator çmimi i naftës shënoi një rritje prej 0.2 për qind dhe çmimi i benzinës 0.3 për qind.

Indeksi i grupit “Argëtim dhe kulturë” shënoi një rritje prej 0.8 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të teksteve shkollore me 3.4 për qind.

Qeveria, 16 milionë lekë për shpronësimin në hyrje të Kavajës

Në mbledhjen e saj të radhës, qeveria ka miratuar fondin për shpronësimin e banorëve, në pronën e të cilëve kalon segmenti rrugor Hyrja Kavajë-Unazë. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës të ligjit “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të ligjit “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave vendosi dje të miratojë

shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Hyrja Kavajë-Unazë”. Qeveria i akordon fondin Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Në bazë të këtij vendimi, pronarët e pasurive të paluajtshme shpronësohen ose kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, për sipërfaqen 1071.5 (një mijë e shtatëdhjetë e një pikë pesë) m2 tokë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 16.072.500 (gjashtëmbëdhjetë milionë e shtatëdhjetë e dy mijë e pesëqind) lekë. Shpenzimet procedurale, në vlerën 277.000 (dyqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, 16.072.500 (gjashtëmbëdhjetë milionë e shtatëdhjetë e dy mijë e pesëqind) lekë, të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”. Sipas vendimi të qeverisë, shpronësimi do të fillojë më 15.10.2009 dhe të përfundojë më 15.01.2010. Pronarët, për të cilët, në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, është bërë shënimi “Konfirmim nga ZRPP” do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

Kontratat e përkohshme, 2.657 punonjës për vitin 2009

Punonjësit që do të punësohen me kontrata të përkohshme në institucionet shtetërore do të jenë 2.657 për vitin 2009. Këtë shifër e ka miratuar dje Këshilli i Ministrave në mbledhjen e radhës. Qeveria miratoi një ndryshim në vendimin nr. 115, datë 2.2.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2009, në disa ministri dhe institucione qendrore”. Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Financave vendosi që pika 1 e vendimit nr. 115, datë 2.2.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon: Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2009, për ministritë dhe institucionet qendrore, është 2657 punonjës, sipas lidhjes nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”. Ngarkohet Ministria e Financave të miratojë shtesën në numrin e punonjësve, me kontratë të përkohshme, sipas profesioneve dhe afateve kohore, brenda kritereve të përcaktuara në vendimin e sipërpërmendur.

Liqeni i Ohrit, 800 mijë euro për mbrojtjen e mjedisit

Rreth 800 mijë euro, dhënë nga Banka Gjermane për Rindërtim e Zhvillim (KfW) do të përdoren për mbrojtjen e liqenit të Ohrit në Pogradec. Qeveria miratoi dje në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 5 e 7, të ligjit “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit e të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi të miratojë marrëveshjen financiare për zbatimin e projektit për mbrojtjen e liqenit. Qeveria miratoi në parim marrëveshjen financiare shtesë, për marrëveshjen e projektit dhe të financimit, datë 6.2.2007, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Pogradec, si agjencia e zbatimit të projektit dhe Bankës Gjermane për Rindërtim dhe Zhvillim (KfW), për programin e mbrojtjes mjedisore të liqenit të Ohrit “Kanalizimet, Pogradec II”, me një grant 800.000 (tetëqind mijë) euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›