E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, thirrje donatorëve: Ndihmoni ekonominë e brishtë të Kosovës



Shqipëria angazhohet në maksimum për të ndihmuar Kosovën në rritjen e nivelit ekonomik. Pas ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës dhe vënies në dispozicion të portit të Shëngjinit, tani projekti tjetër për këtë qëllim është ndërtimi i një linje hekurudhore që lidh dy vendet tona. Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave njoftoi se ky do të jetë projekti i parë i mandatit të ardhshëm, 2013-2017. Dhe sa për të hedhur themelet e idesë më të re të qeverisë së djathtë, z. Berisha i kërkoi ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, që të nënkontraktojë një kompani konsulence për të bërë fizibilitetin e këtij projekti ambicioz. “Hekurudha me Kosovën është lidhja më me interes për portet shqiptare, sepse lidhet me Serbinë dhe ecën drejt Evropës Qendrore. Ne e kemi lidhjen hekurudhore me Malin e Zi, do ta plotësojmë edhe me Maqedoninë, e cila do të përbëjë një lidhje lindore shumë të rëndësishme. Ne do ta finalizojmë këtë lidhje në 3-4 kilometrat që kanë mbetur dhe do t’i shtrijmë shinat deri në kufi, sikundër edhe Maqedonia do të ndërtojë pjesën e saj, që është më e gjatë. Por, lidhja hekurudhore me Kosovën ka rëndësi të jashtëzakonshme, në veçanti pas ndërtimit të portit të Vlorës, i cili për eficencën e tij të plotë kërkon lidhjet më të fuqishme hekurudhore me rajonin, me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë”, - theksoi z. Berisha. Sipas tij, ndërtimi i saj nuk mund të fillojë gjatë këtij mandati, por të jetë gati për mandatin tjetër. Po dje, Kryeministri Sali Berisha u bëri dje thirrje donatorëve ndërkombëtarë që të mbledhin një tjetër konferencë për të ndihmuar ekonominë e brishtë kosovare. I sapokthyer nga vizita mjaft e suksesshme në Kosovë, z. Berisha informoi kabinetin qeveritar për takimet e shumta të zhvilluara përgjatë vizitës dyditore, por ai shprehu domosdoshmërinë e një tjetër konference donatorësh për shtetin e ri të Ballkanit për t’i dhënë një tjetër shtytje kësaj ekonomie më se të brishtë. Kryeministri vuri në dukje se me gjithë përpjekjet e qeverisë “Thaçi”, sërish Kosova përballet me vështirësi të mëdha, pavarësisht 1.2 miliardë eurove që konferenca e parë i akreditoi Prishtinës një vit më parë. “Problemi më kryesor i Kosovës është problemi ekonomik dhe urojmë dhe dëshirojmë që komuniteti ndërkombëtar të organizojë një tjetër konferencë donatorësh për ta ndihmuar se sërish përballet me disa vështirësi të pamerituara, me gjithë përpjekjet shumë të mëdha të Shqipërisë”, - theksoi z. Berisha. Gjatë vizitës dyditore në Kosovë, e para pas shpalljes së pavarësisë, Kryeministri Berisha vlerësoi me shumë rëndësi firmosjen e marrëveshjeve me qeverinë e Kosovës, mes të tjerave për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, dhënien e portit të Shëngjinit për përdorim nga qeveria e Kosovës, si dhe angazhimin për ndërtimin e hekurudhës që lidh dy vendet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›