E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfitimi falas i ekzaminimeve të shtrenjta spitalore

06/06/2009  Tarifat për të pasiguruarit 10 herë më të larta

Lista e dokumenteve që pacientët duhet të paraqesin për t’u përfshirë në skemën e trajtimit

Pacientët që kontribuojnë në skemën e sigurimeve shëndetësore mund të përfitojnë nga marrja e ekzaminimeve të shtrenjta që ofrohen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke anashkaluar koston reale dhe tepër të shtrenjtë të të gjitha shërbimeve. Megjithatë, janë të përcaktuara qartë dhe kushtet që pacientët duhet të përmbushin për të përfituar në kohën e duhur trajtimin, kjo e bazuar dhe në ecurinë e sëmundjes. Skema e rimbursimit përcakton se për pacientët që janë të siguruar çmimi i shërbimit do të jetë vetëm 10 për qind e kostos reale, ndërsa për të pasiguruarit trajtimi do të kushtojë dhjetë herë më shumë. Ofrimi i këtyre ekzaminimeve mundësohet vetëm pas dorëzimit të listës së kërkuar nga vetë institucionet shëndetësore të dokumenteve faktuese, ku një ndër më të rëndësishmet është libreza e shëndetit, e cila provon se një person është i siguruar.

Përmbajtja

Pacienti që paraqitet në QSUT ambulatorisht i siguruar për të marrë shërbimin përkatës, duhet të paraqesë detyrimisht listën e mëposhtme të dokumenteve që faktojnë shkallën e sëmundshmërisë së tij: dokumentin e identifikimit (pasaportë ose certifikatë me fotografi), librezën e shëndetit, rekomandim nga mjeku i përgjithshëm dhe i familjes për domosdoshmërinë e kryes së ekzaminimit, rekomandim nga mjeku i spitalit si dhe rekomandim i firmosur nga shefi i klinikës. Të gjitha këto dokumente do të verifikohen e pas kësaj procedure do të jepet vendimi nëse pacienti duhet të bëjë ekzaminimin për sëmundjen e tij ose jo (vihet në listën e radhës së zhvillimit të vizitës përkatëse). Pacientët e pasiguruar jo vetëm që do të duhet të presin në radhë gjatë për të marrë këtë trajtim, por nga ana tjetër duhet të paguajnë dhe një kosto tepër të shtrenjtë të ekzaminimit, të cilin e kanë të domosdoshëm që ta kryejnë.

Kostoja e shërbimeve

Kostoja reale e ekzaminimeve të shtrenjta sipas shërbimeve varion: “Rezonanca magnetike pa kontrast – 20 000 lekë; ajo me kontrast – 35 000 lekë; CT scan - 12.500 lekë; CT Scan koke, kolone me kontrast – 12 500 lekë; CT scan trupi me kontrast – 12 500 lekë; mamografi - 3000 lekë; litotripsia – 18 000 lekë; angiografia – 40 000 lekë; koronografia – 40 000 lekë; firosteoscopia – 3800 lekë dhe fibrocolonoscopia - 3800 lekë. Për të gjitha këto ekzaminime pacientët e siguruar do të paguajnë vetëm 10 për qind të çmimit real, por ka kategori të tjera që do të jenë plotësisht të përjashtuara edhe nga derdhja e kësaj pagese. Konkretisht bëhet fjalë për ofrimin e ekzaminimeve falas për kategori të tilla si fëmijët 0–12-muajsh, invalidë të plotë, invalidë të luftës, veteranë, të sëmurë me TBC dhe CA. Gjithashtu pak ditë më parë ka hyrë në fuqi dhe lista e re e barnave të rimbursimit për 2009-n, ku janë shtuar rreth 31 barna të shtrenjta, veçanërisht për sëmundjet e rënda.

Rimbursimi

Lista e re e barnave të 2009-ës, është miratuar tashmë, e mbulon rreth 95 për qind të sëmundshmërisë kronike. Pensionistët përfitojnë 100 për qind alternativat e para të çdo bari. Barnat e listës së rimbusrimit do të jenë falas për të gjithë fëmijët e moshës nga 0-12 muajsh, për invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët. Gjithashtu barnat do të ofrohen falas edhe për veteranët me sëmundje kronike dhe Invalidët e luftës, për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, Skleroze multiple, talasemia major, sëmundje për të cilat barnat janë tepër të shtrenjta. Përfitues të barnave të rimbursimit do të jenë dhe kategori të tjera pacientësh, por që masa e përfitimit do të jetë sa gjysma e çmimit real të barnave. Për këto raste, do të ofrohet rimbursim i pjesshëm, por jo më pak se 50 për qind kundrejt recetës së lëshuar nga mjeku.

Dokumentet për të përfituar ekzaminimin

1. Dokumentin e identifikimit (pasaportë ose certifikatë me fotografi)

2. Librezën e shëndetit

3. Rekomandim nga mjeku i përgjithshëm dhe ai i familjes

4. Rekomandim nga mjeku i spitalit

5. Rekomandim i firmosur nga shefi i klinikës

Përfitimi

Të gjithë pacientët e siguruar do të paguajnë

vetëm 10 për qind të çmimit të ekzaminimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›