E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtegtim në vitin e nëntëdhjetë e nëntë

Nga Ernest Bunguri

Romakët, grekët e maqedonët, sllavët, osmanllinjtë, zogistët, fashistët, nazistët e komunistët mbajnë mbi shpatulla në këtë botë e në tjetrën, sot e kësaj dite, të nëmurat e shqiptarëve shtegtarë. I këndojmë More’së nga malet e Kalabrisë apo nga zyra e të huajve në Bruksel po njësoj, me të njëjtat vargje e vaje.

Shtegtojnë shqiptarët edhe në vitin e nëntëdhjetë e nëntë. Jo se i tremben festimeve të 100 vjetorit, prishjes së Piramidës dhe ndërtimit të Parlamentit të ri; a zgjidhjes së Presidentit?!? 16 në janar, 21 në shkurt, 27 në mars, 36 dhe 31 në prill dhe maj, 27 në qershor, 28 në korrik, 50 në gusht e 84 në shtator (40 kërkesa për azil vetëm në javën e parë të tetorit). Duan ta shohim më nga afër valëvitjen e flamurit shqiptar në selinë e NATO-s a të shkelin dhe ata si vizitorë në Parlamentin Evropian për të krahasuar nen për nen rregulloren?

Fatos Mahmutaj peshkon i qetë në liqenet e parqeve të Brukselit, pas plumbit të 21 janarit, një AzilBingo për gazetarin e plagosur në dorë, në mëndje dhe në shpirt. Të tjerë që s’kanë këtë “fat” do të duhet të shpikin tesera partie, artikuj gazetash, histori të sajuara për rrezikun për jetën. Edhe gjakmarrja funksionon ende në disa raste, meqenëse ekziston me të vërtetë!

Por të gjithë shtegtarët i shtyn dhe i ka shtyrë gjithnjë një mbi-arsye: vendi i tyre është i pajetueshëm, jo vetëm, por mbi të gjitha ekonomikisht. Të marrësh çiliminjtë, autobusin, e të vish të plasesh në dyert e zyrës së të huajve në Bruksel nuk është vendim i lehtë. Të gjithë ata që e kanë kaluar këtë portë ferri do t’ju rrëfejnë po njësoj për dinjitetin e groposur, për gënjeshtrat dhe pallavrat, për lojën e ka kush e ka me zyrtarët belgë që në ç’do histori djersijnë të pikasin mashtrimin e radhës.

Ky mal i pafund “tragjedish” të dokumentuara këto dy dhjetëvjeçarë, për t’u zhdukur nga Shqipëria, e bën edhe më të vështirë shpresën për të fituar azilin sot. Vetëm një përqind e merr (rrallë ata që e meritojnë), kohëzgjatja është shkurtuar, dhe 99 % do të kthehen sërish mbrapsht me hir a me pahir. Por mesa duket, rritja ekonomike apo renditja e Shqipërisë “pak para e pas” Amerikës e Gjermanisë, bën që 100% gjithsesi ta marrë rrugën me lutjen që të jetë ai një përqindëshi “me fat”. Kur të bie kjo llotari, i thonë rreth 800 euro në muaj ndihmë dhe spitale e autobusa falas, si fillim. E ç’do iu fundoset më shumë dinjiteti a krenaria përballë pyetjeve poshtëruese të belgëve kur kanë vendosur të braktisin atdheun e tyre ku veshët iu kullojnë fjalë të ndyra politikanësh të pangopur. Siç e kanë bërë të tjerë, në fillim e fundvitet 90′ apo në fillimin e këtij shekulli, pse mos ta bëjnë dhe këta që janë bërë pishman si dreqi që s’e bënë “kur duhej”.

Kam takuar e takoj dhe sot shumë miq e shokë, nga qyteti e nga fshati, që kërkojnë me ç’do kusht mundësinë e largimit. Kur nuk iu bie as llotaria amerikane as ajo kanadeze, ata që marrin rrugën e azilit janë më të dëshpëruarit e më “kurajozët” për t’ia mbathur nga sytë këmbët, pasi kanë humbur ç’do shpresë dhe iu janë errur dhe sytë. Pjesa dërrmuese e bëjnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre, duke marrë përsipër trauma që nuk do iu shlyhen as prindërve e as fëmijëve gjithë jetën, e duke u vetëhedhur në vathën e ilegalëve as shqiptarë – as belgë, për të mos folur për të ri-kthyerit “kokëulur” në tokën e sapo-braktisur.

Në ditën e parë të liberalizimit të vizave, turistët shqiptarë, prindër e familjarë azilantësh me status, u pritën me forca speciale të armatosura belge në aeroportin e Liezhës. Nuk dua as ta imagjinoj pritjen që po, dhe do iu bëjnë bashkëkombasve të mi në zyrën e të huajve. Nuk më trishton e as më vjen keq nëse hiqet a s’hiqet regjimi pa viza për shqiptarët “e disiplinuar” për faj të këtyre “ligjshkelësve”, që sakrifikojnë për një jetë më të mirë.

Pas atij deti pallavrash për fushata zgjedhore alla-shqiptare e karotash alla-Bruksel me politika vizash të nemura e krokodilësh me mëlçi pate, është më e pakta të dyshosh se do vinte sërish dita e shtegtimit. Kur pushtetmbajtësit marrin vota me vende pune treqindmijë lekëshe apo deri dhe me thasë me miell për raste zgjedhjesh, s’kanë pse ti bien butonave të kufinjve të integruar e as bursës së Nasdaq. Nuk më bën përshtypje as dhimbja e shtirur e belgëve para “dyndjes” së qindra shqiptarëve sa më dërrmon endja e përplasja e pashpresë e këtyre të fundit në vitin 2011. Gëzuar ditëlindjen Shqipëri! Megjithë shpirt gëzuar, kudo që të jesh!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›