Nuk do ketë ceremoni për Ramiz Alinë
Qeveria nuk ka në plan që të organizojë një ceremoni për Ramiz Alinë. Burimet kanë saktësuar se kryeministri nuk ka ndërmend të bëjë ceremoni për të nderuar një person, të cilin po e hetonte me anë të një komisioni parlamentar për masakrën e Tivarit, drejtuar nga Mesila Doda. Mësohet se në protokoll parashikohet që ceremonia organizohet me vendim të Këshillit të Ministrave, por qeveria nuk ka ndërmend të bëjë një gjë të tillë. Të dielën pritet të ketë vetëm një ceremoni familjare për Alian.
Kryeministri e ka përdorur emrin e Alisë sa herë i është dashur të nisë një betejë politike, kryesisht për të tërhequr vëmendjen nga probleme të mëdha të vendit. Së fundmi ishte kongresmeni amerikan, Bob Hand, që i kujtoi Berishës se nuk mund të përdorë më të shkuarën si mjet lufte e justifikimesh. Por Berisha nuk ka të ndalur. Prej ditësh ai ka nisur të mbajë të njëjtin fjalim, ku krahason Shqipërinë e tanishme me Shqipërinë komuniste.
Ndërkohë, Ilir Meta, kreu i LSI-së dhe ministri i tij i Shëndetësisë Petrit Vasili janë të vetmit zyrtarë të shtetit që po e trajtojnë vdekjen e ish/presidentit Ramiz Alia si një çështje shtetërore. I pari shprehu publikisht hidhërimin e tij duke mos e fshehur as simpatinë dhe miqësinë që thuhej se ai kishte me të, ndërsa i dyti duke u kujdesur posaçërisht për të gjatë kohës që ishte shtruar në spital. Meta duke mbetur i pari politikan që ngushëlloi publikisht familjen e Alisë duke u dërguar një letër në të cilën thuhet se Meta e ka cilësuar ish-presidentin dhe njëkohësisht ish-udhëheqësin e fundit komunist, si figurë e shquar e luftës antifashiste. Meta e bën këtë veprim për të tërhequr simpatinë e disa personave, që mendojnë se sërish Meta është pranë veteranëve dhe ish- komunistëve.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga anëtari i LSI-së Petrit Vasili nëpërmjet një deklarate për mediat ka reaguar për vdekjen e ish-udhëheqësit komunist, Ramiz Alia i cili humbi jetën mëngjesin e sotëm në spitalin e Sanatariumit. Në njoftimin e ministrisë së Shëndetësisë thuhet se vetë ministri Petrit Vasili ka ndjekur me vëmendje trajtimin mjekësor të të ndjerit Ramiz Alia, ndërkohë që një ekip mjekësor ka vëzhguar kurimin e tij.
Duke komentuar këtë sjellje të Metës dhe partisë së tij deputeti Erion Braçe shprehet se Secili ta gjykojë si të dojë. Secili ta respektojë si të dojë. Por pa harruar që ai ka vdekur sot! Njëherësh dua të shpreh neverinë time për njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë: sot u nda nga jeta ish Presidenti Ramiz Alia… Kreu i LSI Ilir Meta e ka vizituar atë gjatë kohës së kurimit!