E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtegu i dyshimtë i fitores

“Pas shtatëmbëdhjetë vjetësh në opozitë, fi torja e presidencialeve në Francë nuk është më një garë, por çështje e ekzistencës së Partisë Socialiste”, -shprehej ish-kandidati dhe sot president i Francës, François Hollande. Një parti politike, ekziston për të marrë pushtetin, dhe qëndrimi për një kohë të gjatë larg tij e atrofizon, në mos e zhduk fare nga skena. Mbi të gjitha kjo ligjësi vlen për partitë me bazë ideologjike. Aq më shumë është prezente në Ballkan, ku koha ecën dy herë më ngadalë dhe viti ngjan dyfish më i gjatë se në një vend normal europian. E tillë është edhe situata për socialistët shqiptarë sot. Pas shtatë vjetësh në opozitë, anëtarët e partisë rozë; votuesit apo simpatizantët e rreshtimit të majtë; armiqtë e Berishës; alergjikët ndaj tij, janë në kërkim të rrugëve për të sjellë ndryshimin. Ofrohen ide për çfarëdo lloj aleance anti-Berishë. Sillet si justifikim për aleanca pa princip shprehja e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Dwight Eisenhower, kur cilësimit që CIA i bëri diktatorit të Nikaraguas, Somosa, si “bir bushtre”, ky iu përgjigj se “është i tillë, por është yni ama”. Afrimi së fundmi i Ramës me Metën, shikohet nga ithtarët e aleancës së majtë si shpresë për përmbysjen e qeverisë ekzistuese nëpërmjet numrave. A mund të ndodhë ky afrim?
Lidershipi socialist që nga fillimi i vitit, ka luksin që të kërkojë dhe ofrojë aleanca në 360 gradë. Edi Rama ka një kryesi dhe asamble të PS-së të cilën e ka riformatuar. Kjo i jep mundësinë të luajë lirisht në tratativa me aleatët potencialë, dhe të mos rrezikojë kreun e partisë. Shprehje e pozicionit të ri, ishte takimi me Ilir Metën. Me arsyen e zgjedhjes së presidentit jo demokrat, u zhvillua një takim informal në shtëpinë e renegatit të dikurshëm, takim i cili i kapërcen kufijtë e protokollit institucional. Rezultati mund të jetë një presidenti i papërzgjedhur nga Berisha. Gjasat janë të pakta, por shpresa vdes e fundit.
Në një skenar fantapolitik, nëse ndodh që rozët e vërtetë dhe ata të shpëlarë, bashkë me cifla deputetësh ia mbërrijnë synimit dhe zgjedhin presidentin e tyre, kjo nuk do të thotë asgjë për të ardhmen e koalicionit të majtë deri në zgjedhjet e 2013-ës. Paktet nuk vlejnë për Ilir Metën. Ditën e parë pas zgjedhjes së presidentit të ri, kreu i LSI do ketë një mjet më shumë presioni për t’i kërkuar karrige deputetësh Berishës në koalicionin e mundshëm të përbashkët, apo vjedhjen e votave për një LSI jashtë koalicionit, por aleate e nesërme e qeverisjes blu. Pozicionimi në terren i LSI-së, tregon se synimi i saj i deritanishëm, është vetëm raundi presidencial për synimin e mësipërm. Udhëheqësi dhe anëtarësia e saj, që i lidh me aleatët interesi financiar, nuk do ta kenë problem të rreshtohen me kampin që i lë pjesëtarë të “tortës” së pushtetit. Deklarata e ODIHR-it, ishte sinjal se në vitin 2013-të aleati më i besueshëm i Berishës do jenë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Zyrat e Gjendjes Civile. Nëpërmjet tyre, ka të gjitha mundësitë të shpërndajë vota dhe mandate sipas aritmetikës që e lënë të qeverisë. Dhe një LSI që e rrotullon gjuhën sipas oreksit, nuk kërkon fantazi të madhe të ndillet në koalicion.
Nga koalicioni me Partinë Demokratike, Ilir Meta ka marrë gjithçka që mund t’i japë të nesërmen e fitores së tij Edi Rama. Një Berishë në mandatin e tretë, mund t’i ofrojë akoma më shumë se sa i ofroi në fillim të të dytit, vetëm që të rrijë në pushtet deri në 2017-ën, çka e zgjedh president dhe e lë në skenë deri në 2023-shin. Edhe në rast fitoreje të së majtës së arnuar, qeverisja do jetë problematike pasi aleati Meta është i pafajshëm, por jo i pastër. Veset me simbol bllokun e shënimeve, vështirë t’i ndërrojë në prag të moshës së tretë. Do jetë e vështirë bashkëjetesa midis socialistëve dhe emisarëve lësëistë, ku këta të fundit vijnë në pushtet me lugë në brez. Aq më shumë do jetë e vështirë qeverisja e koalicionit të zbërdhylur rozë, kur dihet që Berisha del në opozitë me dinamit në dorë e me dosjet e korrupsionit të kundërshtarëve nën sqetull. Dhe, me Bujar Leskajn në Kontrollin e Shtetit dhe babëzinë e pashuar të ndjekësve të Metës, dosjet i mbush plot.
Logjika e ftohtë tregon se më shumë se një aleancë parimore, ajo midis PS dhe brinjës së saj LSI, ashtu si ajo e Adamit me Evën, është një marrëdhënie që mëkatin e ka në zanafillën e saj. Dhe ai të cilit do t’i vihen brirët në rast tradhtie, është Adami. Është e vështirë të thuash se nëse koalicioni realizohet, votat që bie Ilir Meta janë më shumë se ato që vret kjo aleancë. Sikur lëvizja e fundit të shtrihet edhe në fazën e post zgjedhjes së presidentit, Partisë Socialiste i mbesin pak letra në dorë për të ofruar në ditën e gjykimit final përpara zgjedhësve. Dhe një humbje në 2013-ën do jetë fatale për vendin dhe socialistët veçanërisht. Pas kësaj, gazetarët do kenë brumë për bukën e përditshme; ithtarët e koalicionit dështak do kenë nge të shpjegojnë arsyet e mosrealizimit të parashikimeve; ndërsa socialistët do heqin në shpatulla vështirësitë që bie një katërvjeçar i tretë me Berishën në qeveri, dhe mbi të gjitha të gjejnë motivet për të ndalur rrjedhjet dhe mpakjet e radhëve të tyre. Pasi dymbëdhjetë vjet opozitë në Ballkan, janë si tridhjetë vjet në Europë.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›