E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpi “Ciceroni”

Një shtëpi pa libra, Ciceroni e ka krahasuar me një trup pa shpirt, ndërsa Hajnrih Mani me një dhomë pa dritare. Në komunizëm, në atë klimë çmendurie, letërsia nuk u çmend e gjitha, ashtu sikurse sot nuk janë çmendur të gjitha shtëpitë të përfundojnë si shprehja e Ciceronit, pa libra. Megjithatë, duket se prirja është të shkohet drejt shtëpive të tilla, ose më saktë, drejt shtëpive pa libra fizikë. A lexojmë sot më pak se më parë dhe jemi bërë, siç thotë Sartori, një specie e re, Homo videns, pra shohim shumë më tepër sesa lexojmë, apo thjesht kemi ndryshuar zakonet dhe mjetet e të lexuarit, apo jemi bërë më pragmatistë dhe lexojmë gjëra që mund të na ushqejnë më shumë “barkun” sesa shpirtin dhe mendjen? Ka një përgjigje për këtë çështje dhe gjithmonë problemi mbetet te “barku”, ose më saktë te mbijetesa. Ritmet e shpejta të jetës moderne kanë bërë që pjesa dërrmuese e shqiptarëve të mos gjejnë kohën e mjaftueshme për të bërë gjërat që bënin më parë ose të gjejnë mënyra të tjera për t’i bërë.
Shpesh, shumë sy dhe veshë kritikë, merren me mungesën e kulturës dhe edukatës qytetare ndaj librit në përgjithësi. Edhe Konfuci ka thënë: “S’ka rëndësi se sa i zënë me punë je, duhet të gjesh kohë për të lexuar, përndryshe dorëzoju paditurisë që vetë e ke zgjedhur”. Megjithatë, problemi duhet parë ndryshe, tek një dorëzim i padëshiruar tek mjerimi psikologjik, social dhe ekonomik që detyrimisht ka sjellë edhe një lloj mjerimi kulturor, sidomos tek brezat e dytë dhe të tretë në Shqipëri. Kritizerët thonë që ata lexojnë më pak, që e kanë të vështirë të mbarojnë një libër, që ndonjëherë lexojnë vetëm përciptazi disa libra njëherësh, nëse iu bien në dorë. Njëri prej atyre që shkruan, e krahason librin me dashurinë, që megjithëse nuk harrohet, sipas tij po venitet nga dashuritë e reja, si televizioni e interneti. Por nuk duhet harruar që ka mijëra familje shqiptare që të vetmin gëzim elektronik në shtëpi kanë televizorin dhe e kanë të pamundur të blejnë qoftë edhe një libër artistik apo profesional, sepse nuk del llogaria, ngaqë çmimi është i shtrenjtë dhe rroga (nëse janë në punë) as për të jetuar nuk del.
Libri, pavarësisht zhvillimit teknik, mbetet gjithnjë i pazëvendësueshëm. Ashtu sikurse situata sociale e individëve, pavarësisht rrethanave, mbetet gjithnjë kushtëzuese për raportin me librin. Tek ne ka ndodhur një dramë tjetër. Në shumë shkolla nuk funksionojnë bibliotekat shkollore, nga niveli fillor, i mesëm dhe më gjerë. Nëse do të funksionojnë bibliotekat nëpër shkolla, atëherë mësuesit e letërsisë do të ngjallnin pasionin ndaj librit tek nxënësi. Nxënësi do të pajisej me dije, do të ushqehej me art dhe kështu do ta ushqente shpirtin. Ndërkaq, një shpirt i ushqyer mirë është i nevojshëm si buka. Edhe bibliotekat e lagjeve apo të rrethit, në përgjithësi janë në gjendje të mjerueshme, nuk pajisen me literaturë, jo vetëm të letërsisë, por edhe të profileve të tjera, varësisht nga drejtimi: shkencë, arte, gjuhë, ekonomi, teknikë, mjekësi etj. Gjithkund, në çdo skutë, qyteti duhet të kishte biblioteka, por ato nuk janë dhe kjo është një fatkeqësi e madhe.
Mungesa e librave në shtëpi, në bibliotekat e shkollës, të qytetit e më gjerë, po sjell humbjen e peshës dhe vlerës së fjalës. Fjala po pëson një inflacion të rëndë. Nëse do të kishte stimulim në edukimin e librit, do të zgjohej dhe oreksi i lexuesit, por të dyja mungojnë, ngaqë të dyja po përpiqen të mbijetojnë, duke rriskuar në çdo formë. Ndaj, bota jonë po bëhet nervoze dhe hedoniste. Mjetet teknike, si kompjuteri, gjoja po na shkurtojnë kohën, ndërkohë që na “e vjedhin” atë me lezet, na kërkojnë shumë vëmendje dhe energji. Ka shumë pak “predikime” kulturore, mediatike, sugjerime letrarësh për të ofruar librat e nevojshëm dhe ku t’i gjejmë ata me një çmim më të lirë, me të drejtë kthimi etj., pa na rënë në qafë ekonomikisht, sepse lexuesi kolektiv nuk mund ta pronësojë dot.
Të lexuarit do të jetë gjithmonë mënyra më e frytshme për të marrë dije; vetë leximi ka rrënjë të thella te njeriu. Të dish të vlerësosh potencialin e jashtëzakonshëm të mjedisit shqiptar në situatën aktuale, ku gjithçka mund të kthehet në materie letrare, që nga dramat individuale e kolektive, deri tek energjia e çuditshme e botës së brendshme dhe te larmia e saj e madhe. Por në hapësirën gjeokulturore shqiptare, kudo shkruhet e kudo botohen libra, dhe shumë mirë bëhet sepse ata janë bartës të realiteteve njerëzore dhe kulturore autentike, të cilat vetëm presin një sy për t’i parë, një shpirt për t’i ndjerë. Por askush prej tyre nuk mendon realisht për lexuesin, që nuk ka mundësi ta përvetësojë librin dhe për këtë fajtor nuk është vetëm shteti, por të gjithë ne që e quajmë një formë biznesi këtë pasuri të pazëvendësueshme.
Shtëpitë tona pa libra i ngjajnë një godine pa suva e pa ngjyrë. Prandaj edhe vlerat dhe lexuesi i devotshëm po humbasin dita-ditës një pjesë të rëndësishme nga jeta e tyre. Administratorët e jetës sonë po humbasin mirënjohjen publike. Brezat e ardhshëm do ta gjykojnë të paarsyeshme që kjo sjellje të bëhet një e metë ose një ves i trashëguar. Kur sistemi nuk ta jep këtë mundësi, që ta mbushësh shtëpinë me libra, kur bibliotekat janë të varfra ose nuk ekzistojnë fare, të mbetet të shpresosh se një ditë administratorët do të kujtojnë shprehjen e Ciceronit... Sa humbje e madhe është për një komb që bijtë dhe bijat e tij të mbeten pa “shpirt”!
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›