E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diktatura demokratike e votës politike

Në debatet e shumta televizive që zhvillohen përnatë shpesh deputetët, zëmarrësit dhe zëdhënësit e mazhorancës përmendin argumentin e votës politike, domethënë votimin e tyre (të detyrueshëm) politik në Kuvend, si një verdikt i pakushtëzuar e suprem që buron nga lart-poshtë, nga grupi te personi i zgjedhur/emëruar nga partia tek anëtarësia dhe nga udhëheqësi te përfaqësuesi. Kur përmendet kjo e uruar “votë politike”, qytetari i zakontë duhet ta kuptojë/pranojë këtë si një kusht sine qua non, sipas të cilit: Kush guxon të dalë nga rreshti, d.m.th nga votimi politik i grupit (nga vendimi paraprak i partisë, më saktë i vullnetit të kryetarit të partisë), e ka hak të shpallet armik, tradhtar, bukëshkalë e i pabesë.
Në vështrim të parë, e tejpërsëritur si aksiomë, kjo logjikë ngjan demokratike. Por, a mund të funksionojë kësisoj normalisht një demokraci? Apo mos vallë me votën politike vendoset e ligjërohet arbitrariteti, ajo që ndryshe quhet diktaturë e shumicës qeverisëse mbi pakicën dhe sidomos mbi ata që mendojnë kundër, për të mos thënë diktat i padiskutueshëm i Njëshit, i kryetarit përkatës të qeveri-partisë? Por edhe trafiku i votës, si pamë për zgjedhjen e Presidentit Topi, apo si po deklarohet këto ditë nga Islami, se zgjedhja e Presidentit të ardhshëm do të varet edhe nga vota e Islamit, pra në se ai “do ta maksimalizojë” votën e tij me PD+LSI-në, si bëri për anëtarin e KLD-së, mund të quhet edhe kjo një votë politike? Padyshim që ka për të qënë një votë e mirëfilltë politike, si në fillim dhe në mbarim, sigurisht pa përjashtuar edhe llogaritë vetjake. Po a nuk do t’i shërbejë kjo votë dhunës “demokratike” të mazhorancës?
Detyrimisht në këtë kanxhë të hekurt të “votës politike” futen edhe partitë e koalicionit, në rastin tonë si LSI dhe PR. Natyrisht që kështu mund të mbahen më këmbë koalicionet qeverisëse. Por, Kushtetutat demokratike e kanë të ndarë kufirin mes votës politike dhe votës së cilësuar. Ndërsa me votë politike miratohen ligje që shërbejnë për qeverisje, me votë të cilësuar, pra me më së paku votat e 2/3 të deputetëve që presupozon bashkimin e lirë dhe konsesual të votave të pozitës me ato të opozitës, miratohen ligje themeltare dhe zgjidhen organe e drejtues të lartë institucionesh, të cilët për shkak të kësaj vote (jo politike) mund të garantojnë pavarësinë dhe ndarjen e pushteteve, si ka pas qënë pa u ndryshuar Kushtetuta posti i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm. Ndryshimi i Kushtetutës vrau pikërisht këtë ekuilibër jetik për demokracinë funksionale, ku pushtetet detyrimisht janë të pavarura prej garancisë kushtetuese së ndarjes së votës politike nga vota e cilësuar. Shkatërrimi i votës së cilësuar në favor të votës politike prishi jo vetëm ekuilibrat midis pushteteve dhe institucioneve, midis krerëve të tyre, midis opozitës dhe mazhorancës, duke e çuar në kufijtë e absurdit vartësinë politike të tyre nga ekzekutivi, duke shumëfishuar dhe justifikuar, n’daç edhe me “ligj”, dhunën demokratike të mazhorancës, të një partie e të një kryeministri.
Nuk ka ditë të mos dëgjojmë të thuhet se “ne populli na ka besuar me votë të qeverisim, prandaj është e natyrshme dhe madje edhe e domosdoshme vendosja e njerëzve tanë në krye të institucioneve të pavarura e kushtetuese. “Kjo alibi artikulohet nga deputetë të emëruar, të cilët janë futur/përzgjedhur klientelisht nga kryetari, d.m.th deputetë që nuk janë votuar direkt nga populli; aq më tepër që edhe si grup fitues ata nuk kanë marrë mandat nga populli kur kanë bërë fushatë, që të vënë apo jo nën hyqëm, nëse fitojnë të gjitha pushtetet e pavarura. Kjo do të thotë që vota e tyre politike nuk mund të shkojë drejt interesave të zgjedhësve, të atyre që i kanë votuar, por të kryetarit të partisë që i ka futur në listë. Rrugë tjetër ata nuk kanë, veçse të votojnë si dele të urta urdhrin politik të kryetarit të partisë!
Një votë e tillë politike e komanduar e deputetëve që në fillesë është atentati më i madh e më i dëmshëm që i është bërë sistemit demokratik. Deputetët dele, ashtu si anëtarët e bordeve dhe të këshillave nuk kanë asnjë mundësi të përfaqësojnë zërin dhe interesin publik, po interesin vetjak të përputhur me interesin e kryetarit të partisë, për të mbetur sa më gjatë në pushtet. Në këto kushte është i vështirë, për të mos thënë i pamundur konsensusi, marrëveshja e mirëkuptimi jo vetëm për çështje rutinore, po edhe të rëndësisë kombëtare, për reforma jetike, për interesa madhore të integrimit, etj. Edhe po të hyjë si “paqtuesi i gjaqeve” ambasadori amerikan apo ndonjë “krokodil” tjetër i ndërkombëtarëve, ky “mision” do të jetë, si edhe ka ndodhur, i pamundur! Aq e vërtetë është kjo sa tanimë po hapur thuhet që Presidenti i ardhshëm automatikisht (meqë Berisha ia ka marrë dorën kontrollit, blerjes dhe administrimit të votës politike edhe në zgjedhje, edhe në Kuvend…) i takon PD-së. E jo vetëm ai post, po edhe KLD, edhe KLSH, edhe SHISH, edhe RTSH, edhe KKRT, edhe Prokuroria e Përgjithshme, edhe krerët e gjykatave… e kush mbetet tjetër? Privatizimet strategjike, si p.sh ‘Albpetroli’, CEZ, madje edhe falja e detit grekëve.
Me “ligj”, pra me një votë politike të garantuar e të mirëkontrolluar (qoftë edhe me një votë plus!) Berisha i jep të drejtë vetes të sillet si një triumfator, të veprojë si të dojë me fondet publike, me taksat dhe dëmshpërblimet, me kompensimin e pronave dhe rishkrimin e historisë, me ngritjen ose prishjen e monumenteve, me deklarimin e gjakut tonë me origjinë turke …, madje, edhe në iu dashtë të anulojë tenderin e interkonjicionit për t’ua dhënë serbeve, si ua fali detin grekëve, si dhe të zgjedhë në institucionet kushtetuese cilin t’i dëshirojë e bardha zemër! Të gjithë këtë fuqi ai në fakt e merr nga “vota politike”! Është pikërisht komanda mbi votën politike të deputetëve të tij dhe dobësimi ekstrem i votës të cilësuar që e bën Berishën t’i duket vetja i lavdishëm, i pathyeshëm e i pazëvendësueshëm!
***
Ditët e fundit, në votimin për një kandidat të KLD-së, LSI u duk sikur u gjend “në pozicion jashtë loje”. Për disa votoi politikisht, ndërsa vetë u justifikua se nuk votoi politikisht, por rastësisht, gabimisht. Në fakt votimi rezultoi “politikisht”, jo në dobi të koalicionit, konkretisht të PD-së, por të interesit të vetes, paçka se kjo ende nuk dihet. Kjo ishte një provë gjenerale e Metës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, post të cilin ai më shumë se kushdo është i interesuar ta ketë për partinë e vet. Në votim-mosvotimin aq të përfolur të LSI-së për anëtarin e KLD-së, nuk u diskutua dhe as nuk u peshua vlera e kandidatëve, as mënyra e votimit, por rreziku se mos PD për pak mend e humbi pushtetin për shkak të mungesës së numrave. LSI provoi forcën ndaj Berishës me një “Votë politike”: As mos të të shkojë ndër mend që Presidentin mund ta zgjedhësh pa biseduar me Metën! Kësaj here pushteti i Berishës u kërcënua seriozisht edhe nga truku i opozitës (futja e emrit të kandidatit Visha, jo truk elektoral, por testues, pse jo edhe tinzar, pasi Visha u përzgjodh ngaqë ishte avokat i Mediut në Gërdec), në fakt rezultoi i rrezikshëm, pasi e detyroi Topallin të kalonte procesin në votim elektronik, me një kandidat të vetëm. Por Mediu, edhe pse kryetar i një partie koalicioni, nuk zgjodhi nderin, moralin dhe mirënjohjen për avokatin e tij, por detyrimin ndaj “votës politike”, duke votuar kundër detyrimit njerëzor. Mazhoranca u gjend papritur në kufirin më ekstrem të rrezikut, të rënies “për hiçmosgjë” nga pushteti dhe shpëtoi me një votë plus, (70 plus 1), atë të ministrit të Ekonomisë, të lësëistit Naço, i cili, me apo pa dëshirë, me bindje apo me frikë (“Do të kisha votuar ndryshe, po të votohej me kuti”, - deklaroi pak a shumë ai pas votimit) doli nga rreshti i LSI-së dhe u fut në votimin politik jo të partisë së tij, por të PD-së.
Në të gjitha këto raste duket sikur vota politike nuk ka pse të ketë moral, si e ka vota e cilësuar. Por, nuk është aspak kështu. Gjithë ngatërresa, ngërçi dhe arbitrariteti vjen ngaqë vota politike e ka humbur bashkë me qëllimin, edhe moralin për shkak se tanimë thuajse nuk ekziston vota e cilësuar, vota e konsensusit, vota e marrëveshjes, vota që shkon në dobi të interesit publik e qytetar. Megjithatë, sa herë analizohen votimet dhe qëndrimet e tilla të të zgjedhurve tanë që e trafikojnë votën, përherë do të futet si matës edhe morali, herë si ndëshkim dhe herë si një argument kokëfortë. Por, kjo nuk ndryshon asgjë nga pazaret e që bën vota politike!
Mënyra se si është ndërtuar kodi zgjedhor, mënyra si emërohen deputetët dhe anëtarët e gjykatave dhe institucione që dalin nga Kuvendi bën të mundur që kryetarët e partive ta mbështesin të gjithë pushtetin mbi votën e komanduar e të kontrolluar politike. Prandaj, që të mos dobësohet kjo lloj fuqie e pakushtëzuar dhe e pakontrolluar ata e quajnë të pamoralshme që jo vetëm një deputet i listës, por as edhe një nëpunës i lartë, një gjykatës, një kryetar KLD-je, KQZ-je, KLSH-je, KKRT-je etj, madje edhe vetë Presidenti i Republikës, të dalin kundër e të votojnë në kundërshtim me grupin politik që i ka zgjedhur. Më saktë të mos i binden urdhrit dhe vullnetit të kryetarit të partisë/qeverisë, ndaj të cilit, në jetë të jetëve duhet të jenë mirënjohës, besnikë, pse jo edhe mercenarë, pasi është ai që e zgjodhi, është ai që e nxori nga hiçi dhe e futi në listë, është ai që e bëri deputet, ambasador, kryetar gjykate apo President Republike. Këtë lloj morali-haraç i kërkojnë krerët tanë partiakë votës politike. Sipas kësaj logjike, apo sipas këtij lloj morali, rrjedhimisht votuesi, sovrani, populli, bashkë me interesat kombëtare mund të mos kenë, si ka ndodhur rëndom, asnjë punë dhe asnjë lidhje me votën, me qëndrimin, n’daç edhe me moralin e përfaqësuesve tanë në Kuvend e nëpër institucione shtetërore.
***
Një miku im më shkruante këto ditë nga jashtë: Mirë sëmundja që e dimë, mirë edhe prognoza, po ilaçi cili është dhe ku gjendet? Se ja, po të shkoj unë në katundin tim e t’ua shaj bashkëfshatarëve të mi Berishën, ata do të më marrin inat. Ashtu si po të vesh në Kosovë, edhe pas thyerjes së embargos së naftës për Serbinë, edhe pas faljes së detit Greqisë, edhe pas skandalit të linjës së interkonjicionit... mund të të marrin inat. Kjo do të thotë që Berisha, falë mjeshtërisë së fituar tashmë për kontrollin e votës politike, pas zaptimit të thuajse të gjithë institucioneve kushtetuese, mund të fitojë sërish. Ku pra është ilaçi?
Nuk më takon mua të gjej ilaçin. E megjithatë, një gjë duhet kryer, sa nuk është vonë: Reformë e plotë zgjedhore, që përfaqësuesit tanë, të të gjitha niveleve, që nga Presidenti deri te kryeplaku, nga gjykatësi te prokurori, të mos dalin nga listat, d.m.th të mos varen nga kryetarët e partive; të ndjejnë pra përgjegjësi jo para kryetarit të partisë, por para votuesit, para opinionit publik, para Ligjit, para Drejtësisë. Kjo është e mundur, derisa kështu ndodh në të gjitha vendet demokratike! Me votë “të pastër” politike kjo është e pamundur!

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›