Shtëpia e Bardhë nxjerr sekretet, zyrtarët komunikuan për luftën në chat grup-in ku bënte pjesë edhe një gazetar

Anëtarë të lartë të kabinetit të presidentit Donald Trump janë përfshirë në një shkelje serioze të sigurisë, gjatë diskutimit të planeve sekrete ushtarake, për sulmet e fundit amerikane ndaj Huthit të Jemenit në Lindjen e Mesme.
Në një gabim të pazakontë, figurat kryesore të administratës Trump, përfshirë zëvendës presidentin JD Vance sekretarin e mbrojtjes Pete Hegseth, sekretarin e shtetit, Marco Rubio dhe drejtorin e inteligjencës kombëtare, Tulsi Gabbard komunikuan përmes një chat grupi në aplikacionin Signal, pjesë e të cilit ishte edhe një gazetar.
Ka qenë pikërisht ky i fundit që ka bërë të ditur lajmin i cili ka nxitur zemërim dhe ka shkaktuar shumë reagime.
Sipas gazetarit, biseda përfshinte informacione rreth objektivave që do të goditeshin, armëve që SHBA do të përdorte dhe renditjen e sulmeve.
Aplikacioni Signal nuk është i miratuar nga qeveria amerikane për ndarjen e informacioneve të ndjeshme.
Sekretari i mbrojtjes, Hegseth mohoi ndarjen e planeve të luftës në chat grup ndërsa akuzoi gazetarin si mashtrues.
“Askush nuk po dërgonte mesazhe për planet e luftës dhe kjo është gjithçka që duhet të them për këtë”, Hegseth.
Këshilli i sigurisë kombëtare ka konfirmuar autenticitetin e bisedës dhe anëtarëve të saj ndërsa po shqyrton se si kontakti i gazetarit u përfshi në grupin e komunikimit./vizionplus.tv