Shtëpia e juaj

Shtëpia thonë se ndërtohet njëherë. Por kur atë e ndërton atëherë duhet të ndihesh rehat dhe pa telashe, së paku për disa vjet.
Në tregun e librave në Kosovë, vjen një broshurë shumë interesante që brenda përmban 30 plane arkitektonike të shtëpive të projektuara nga 30 arkitektë kosovarë.
“Është një katalog me projekte origjinale të 30 shtëpive, me informata profesionale dhe me informata ekologjike”, tregon Ideal Vejsa, arkitekt si dhe udhëheqës i MadenGroup.
Planet arkitektonike të ndërtimit të këtyre shtëpive sipas Vejsës kanë dalë si rezultat i hulumtimit të tregut dhe kërkesave që kanë dalë nga tregu kosovarë. Planet e shtëpive janë të madhësisë prej 50 metra katrorë deri në 400 metra katrorë.
Si shembull po japim një shtëpi e cila ka një madhësi prej 223 metra katrorë do të ju kushtojë afër 60 mijë euro. Në këtë çmim përfshihet i gjithë ndërtimi nga fillimi deri në fund.
“Shtëpitë në katalog janë në shitje si projekte por edhe si ndërtim. Mundesh me ardhë me ble vetëm projektin apo edhe ndërtimin. Çmimet janë bazike, si kosto por ajo mund të variojë edhe në bazë të kërkesës dhe terrenit ku ndërtohet”, shpjegon Vejsa. Sipas Vejsës brenda projekteve arkitektonike përfshihen edhe detaje të shumta ekologjike që lidhen me mbrojtjen ambientit, kursimin e rrymës, dritës por edhe ujit.
“Projektet e shtëpive janë origjinale. Shtëpia shitet vetëm një herë. Nuk janë shtëpi të kopjuara prej internetit. Janë projekte prej arkitektëve kosovarë”, tregon Vejsa. Broshura gjendet në çdo kioskë.