E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpia e shkrimtarëve të mëdhenj

Njëra prej botueseve më të mëdha në Shqipëri, por edhe në të gjitha trojet shqiptare, Arlinda Dudaj, në një intervistë për Express tregon për titujt e ri të romanëve që do të botohen nga kjo shtëpi botuese, të autorëve të huaj por edhe autorët e saj shqiptarë. Ajo flet edhe për botimin e librit të shumëpërfolur, “Vargjet Satanike”, të shkrimtarit të njohur Selman Rushdie dhe titujt që do të ekspozohet në Panairin e librit në Prishtinë.

Arlinda Dudaj dhe shtëpia e saj botuese, për disa vite rresht ka qenë njëra prej shtëpive që ka botuar shumicën e veprave më të njohura të autorëve të njohur botëror. Në një intervistë ekslusive për Express, Dudaj flet për rrugëtimin e shtëpisë së saj, sukseset dhe rëniet, lexueshmërinë dhe autorët shqiptarë që ajo i boton.

Express: Jeni një shtëpi botuese që vazhdimisht jeni në treg më titujt e librave më të fundit në botë. Si ka shkuar ky rrugëtim?

Arlinda Dudaj: Në fakt ka pasur ulje dhe ngritje. Ka pasur momente në të cilat njerëzit kanë qenë shumë të interesuar për libra të caktuar, libra që kanë pasur edhe një publiciteti ndërkombëtarë. Do të doja të përmendja këtu “Kodin e Da vincit” të Dan Braun që është një nga librat tonë më të shitur dhe më të pëlqyer nga publiku, por po ashtu kemi pasur edhe librin “Gomora” të Roberto Savionos, edhe të tjerë që lexuesit i nxjerrin herë pas here. Në fakt çfarë ka ndodhur me kalimin e viteve është se ne si shtëpi botuese jemi përpjekur të sjellim tendenca të reja sepse ai çka do në botë e do edhe këtu dhe pak a shumë është një tendencë që e merr nga ajo që do jashtë. Nuk është se këtu bën përjashtim Kosova apo Shqipëria sepse ne jemi një treg, edhe kur marrim të drejtat i marrim për gjuhën shqipe kështu që i kemi të drejtat edhe për Kosovën. Në përgjithësi me kalimin e kohës ka njohur rritje në kuptimin që ne kemi botuar gjithmonë e më shumë libra, gjithmonë e më shumë autor dhe tituj, të cilët disa janë pritur mirë e disa të tjerë janë pritur siç janë pritur edhe jashtë. Megjithatë, tani ka një çik probleme, le të themi momentale, që nuk e di nëse ka lidhje me krizën ekonomike apo me krizën shpirtërore, apo me krizën njerëzore që për momentin po e përjetojmë.

Express: Më shumë në raftin tuaj ka romane por nuk mungon edhe letërsia jofiktive. Cilët janë autorët e huaj që për momentin jeni duke i botuar?

Arlinda Dudaj: Në të shumtën e botimeve tona janë romanet, pra letërsia. Ka përkthime nga të gjitha vendet e botës, pra në fakt i kemi përkthime por kemi edhe pak autorë shqiptarë. Së fundmi kemi sjell disa autorë shumë të mirë siç është Jose Saramago, Italo Galvino, Selman Rushdie me “Magjistricat e Firencës”, David Grossman, pra janë shkrimtarë që janë të njohur, shkrimtarë botëror që janë pritur mirë por jo në atë masë që unë do e kisha menduar.

Express: Pos “Magjistricave të Firencës” ju e keni në plan ta botoni edhe “Vargjet satanike”, të Selman Rushdie. A po keni probleme dhe a ka ndonjë kërcenim për botimin e kësaj vepre, pasi kjo libër është shumë e debatuar sidomos në vendet e lindjes.

Arlinda Dudaj: Është e vërtetë që është debatuar shumë dhe është në plan që të botohet “Vargjet Satanike”, sepse ende nuk është botuar. Ne e kemi të drejtë që të botojmë veprat e tij bashkë me disa shtëpi të tjera botuese nëpër botë. Ne po ashtu do të botojmë edhe librin e Joseph Anthon që është Autobiografia e Selman Rushdie. Për këtë arsye edhe libri “Vargjet Satanike” debatohet pa fund por nuk është lexuar në gjuhën shqipe. Kështu mbetet një detyrim i shtëpisë botuese tonën, sepse ne jemi Shtëpia Botuese e veprës së Selman Rushdie në shqip dhe nuk ka si të botohet Autobiografia nëse nuk botohet ky libër i kaq shumë debatuar. Në fund të fundit nuk mund të kuptojmë se si debatohet për këtë libër sepse edhe pse kanë kaluar shumë vite ai vazhdon që të mbetet, të thuhet gjithçka për librin është klishe, dhe kryesisht pa e lexuar librin. Unë mendoj që një gjë edhe sikur ti të mos e pëlqesh është mirë që për atë libër që debaton ta kesh në raft për ta lexuar. Jemi në një botë të lirë dhe në fund të fundit ne jemi të lirë për ta lexuar ose jo. Nuk është një libër që të djeg si ta kapësh në dorë dhe nuk e shoh ndonjë problem që ta botojmë, edhe për hir të respektit që kemi ndaj shkrimtarit.

Express: Pos autorëve të huaj, ju keni edhe autorë shqiptarë, janë të paktë por shtëpia e juaj botuese i ka zgjedhur. Cilët janë ata?

Arlinda Dudaj: Kemi disa autorë shqiptar, kemi edhe libra jo fiksion, kemi edhe libra fiksion që janë të shkrimtares së mirënjohur si; Elivira Dones e cila së fundmi ka shkruar edhe një libër për Kosovën, një libër me titull “Luftë e vogël e perkor”, nga librat më të bukur që kam arritur të lexoj deri tani. Me 11 qershor del edhe romani i shkrimtarit kosovar Albatros Rexhaj, “Bombë në Beograd” i cili gjithashtu ka të bëj me luftën. Në fakt për dallim nga Elvira ky libër është i zhanrit thriller me nuanca të një dokumentari, edhe pse në dukje vepra është fiksion. Pavarësisht se është roman, dhe ato personazhe nuk janë të vërteta me emra dhe mbiemra, kam bindjen që ngjarjet që ndodhin në të janë shumë historike dhe në mënyrë artistike flasin për tmerret dhe represionin serb. Ngjarja zhvillohet në vitin 1998 dhe në një formë e shpjegon motivin prapa kryengritjes kundër serbëve. Konsideroj se sa i përket stilit, romani i Albatrosit është një prurje e re në letërsinë shqipe sepse ka shumë aksion dhe ankth. Albatros Rexhaj nuk është një autor i panjohur për ne sepse ai është botuar dhe ribotuar nga botuesi i njohur italian Rizzoli RCS në Milano. Një autore tjetër shqiptare është Burnilda Zllami një autore shumë e njohur jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë. Ka lexuesin e vet, ka libra shumë interesant. Ndërkohë kemi edhe Rudina Xhunga me dy romanet e saj që kanë dalë tashmë prej kohësh në treg, që është edhe ajo një nga autoret tona. Pastaj nga autorët klasikë kemi Faik Konicën dhe Fan Nolin.

Express: Çfarë librash do të shohim nga “Dudaj” në ditët në vijim?

Arlinda Dudaj: Kemi projekte shumë të interesante dhe të bukura. . Do të vijë vepra e plotë e Italo Galfinos. Do të kemi një sërë romanesh interesante si psh Fabio Volo që është po ashtu një shkrimtar shumë i njohur dhe i pëlqyer italian, i këndshëm për lëxim. Kemi edhe vepra të tjera që i kemi në radhë për botim.

Express: Këtë vit keni botuar edhe shkrimtarë klasikë. Cilët janë ata:

Arlinda Dudaj: Kemi edhe autorë më klasik siç janë; Emily Brontë, Jane Austin, etj. Sigurisht do të këtë edhe autorë të tjerë sepse ne kemi një gamë të gjerë, sidomos edhe romanëve për fëmijë që luan po ashtu një rol shumë të mirë. Pak a shumë kjo është ajo që kemi sjell dhe pritet të vazhdojmë njëjtë.

Express: Keni paralajmëruar pjesëmarrjen në Panairin e Prishtinës që fillon të hënën. Cilat romane do të zënë stendat e “Dudaj”?

Arlinda Dudaj: Shtëpia botuese do të jetë e pranishme edhe në panairin e Prishtinës, në stendën e librarisë “Artini”, pra një pjesë e kësaj stende është e botimeve Dudaj ku do të paraqitemi edhe me botime të reja, siç e thashë me librin “Luftë e vogël e perkor”, nga Elvira Dones. “Kain” nga Jose Saramago, novelisti i shquar. “Unë nuk kam frikë” nga Nikola Amaniti, “Magjistricat e Firencat” nga Selman Rudie, “Ai që nuk di të dashurohet”, nga Harold Robins, “Sekreti i mijëvjeçarit” nga Katherine Neville, që është një libër i mrekullueshëm i sapo dalë dhe best-seller, por edhe shumë tituj të tjerë, por nuk janë pak, besoj.

Express: Do të bëni ndonjë promovim?

Arlinda Dudaj: Brenda panairit nuk e besoj, por në fakt më vonë do të kemi disa promovime. Në fakt ne kishim parashikuar një promovim me Elvirën por ajo nuk mundi të vijë.

Express: Po bashkëpunimi me Shtëpitë Botuese kosovare?

Arlinda Dudaj: Nuk kemi pasur rastin, por jemi njohur më shumë nëpër panaire por nuk kemi pasur bashkëpunim të mirëfilltë. Thjesht me Dukagjinin jemi lidhur por jemi lidhur për shkak të librarisë që ata kanë pasur dhe kemi pasur një marrëdhënie të mirë, të shëndetshme me ta. Gjatë panaireve vazhdon ky lloj bashkëpunimi.

Express: Çfarë pëlqen më shumë lexuesi kosovarë?

Arlinda Dudaj: Nuk kam statistikë se sa lexues ka në Kosovë, por në raste të caktuara, kur një libër bën bujë në Shqipëri, bën bujë edhe në Kosovë. Prandaj, them se ne jemi një treg. Çfarë pëlqejnë më shumë, pëlqejnë edhe librat best-seller por edhe letërsinë rozë që e kanë shumë për zemër.

DUDAJ boton një shkrimtar nga Kosova

Me 11 qershor del edhe romani i shkrimtarit kosovar Albatros Rexhaj, “Bombë në Beograd” me temë luftën. Ky libër është i zhanrit thriller me nuanca të një dokumentari, edhe pse në dukje vepra është fiksion. Pavarësisht se është roman, dhe ato personazhe nuk janë të vërteta me emra dhe mbiemra, kam bindjen që ngjarjet që ndodhin në të janë shumë historike dhe në mënyrë artistike flasin për tmerret dhe represionin serb. Ngjarja zhvillohet në vitin 1998 dhe në një formë e shpjegon motivin prapa kryengritjes kundër serbëve. Konsideroj se sa i përket stilit, romani i Albatrosit është një prurje e re në letërsinë shqipe sepse ka shumë aksion dhe ankth. Albatros Rexhaj nuk është një autor i panjohur për ne sepse ai është botuar dhe ribotuar nga botuesi i njohur italian Rizzoli RCS në Milano.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›