E Diel, 1 Nëntor 2026

Të kënaqur me festivalin

Sheshi “Nëna Terezë”, në Prishtinë, gjatë 5 ditëve të kaluara u shndërrua në një park lojërash të mbushur me artistë të ndryshëm, të cilët duke performuar kanë magjepsur fëmijët, të rinjtë, familjaret dhe pjesëmarrës të tjerë.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit e Festivalit të Fëmijëve, “Play For All”, i cili kishte filluar më 28 maj, janë shprehur të kënaqur me mbarëvajtjen e këtij aktiviteti për fëmijët dhe të rinjtë.

Kudo nëpër sheshin e kryeqytetit, për 5 ditë me radhë, kanë qenë të vendosura pikat statike, në të cilat kanë performuar artistë profesionistë nga Franca, Zvicra, Gjermania, Bullgaria, Kroacia dhe Maqedonia.

Protagonistë kryesorë të këtij festivali kanë qenë fëmijët, të cilët janë kënaqur duke shikuar dhe shijuar nga afër talentet e cirkut nga shumë vende të rajonit.

Endrit Bekteshi, shprehet i ngazëllyer me atë se çfarë ka parë gjatë këtyre 5 ditëve në festivalin e fëmijëve “Play For All”. Mirëpo ai ka adresuar edhe një kërkesë tek organet kompetente, duke kërkuar më shumë të drejta për fëmijët, por edhe respekt.

“Mua më ka pëlqyer festivali shumë. Unë dua që të ketë më shumë festa për fëmijët. Kërkojmë më shumë të drejta për fëmijët dhe që të respektohen më shumë”, ka thënë ai.

Ndërsa vogëlushja Erzana Kika, përveç që është kënaqur në këtë festival, ajo ka gjetur edhe vërejtje. Kërkesa e saj për vitet e ardhshme është që të ketë më shumë kontejner të vendosur në shesh, për hedhjen e mbeturinave.

Edhe organizatorët kanë thënë të jenë të kënaqur, si me pjesëmarrjen e artistëve, ashtu edhe të shikuesit.

Dardan Bytyqi, njëri ndër organizatorët e shumtë të këtij festivali ka thënë për Kosovapress se, festivali i tillë do të vazhdojë edhe për dy vjetët e ardhshme, pasi që organizimi i mirë i dy vjetëve të kaluara, ka shtyrë donatorët që ta përkrahin këtë aktivitet.

Festivali për Fëmijë "Lojë për të Gjithë" është një projekt i financuar nga BE-ja dhe menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, implementuar nga SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës në partneritet me Qendrën për Arte Vizuale Multimedia dhe Kompaninë Gishtat.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›