Shtëpia e verdhë pronarët padi ndaj shpifjeve të Martit
TIRANE- Deputeti zviceran Dick Marty e gjen veten të paditur në gjykatën e Tiranës. "Pronarët" e disa magazinave që ndodhen në një fshat të Fushë-Krujës, të cilat shërbyen si vende strehimi për qindra kosovarë të larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës, e kanë paditur raportuesin e Këshillit të Europës për shpifje dhe kërkojnë prej tij dëmshpërblim në shumën e 10 milionë lekëve. Në raportin e 15 dhjetorit 2010, deputeti zviceran ndër të tjera shprehej se operacionet e heqjes së organeve të shtetasve serbë kryheshin në një shtëpi në Fushë-Krujë, 20 kilometra larg Tiranës, dhe përmes aeroportit të Rinasit trafikoheshin jashtë vendit. Pronarët e magazinave që Dick Marty i cilësoi si 'klinika' mjekësore ku kryheshin operacionet për heqjen e organeve të shtetasve serbë, kërkojnë nga gjykata që ta detyrojë deputetin zviceran për të përgënjeshtruar gjithçka ka shkruar në raportin e tij. Në padinë e dorëzuar dje në gjykatë, pronarët shprehen se Dick Marty ka shpifur duke deklaruar se 'shtëpia' e tyre është përdorur si klinikë për heqjen e organeve dhe trafikimin ilegal nga ushtarët e UÇK-së. Paditësit theksojnë se të gjitha rrethanat e paraqitura në raport janë të rreme. Në pronën e tyre kurrsesi nuk është kryer transplant organesh, sikurse pretendon Marty. Në raportin e Martit, operacionet për heqjen e organeve të serbëve që u kapën rob gjatë luftës së vitit 1999, kryheshin në territorin shqiptar dhe më pas niseshin drejt Rinasit për të shkuar në klinikat në Turqi. Përveç një shtëpie në një fshat të largët të Burrelit, që u cilësua si "shtëpia e verdhë", raportuesi Dick Marty identifikoi edhe një tjetër shtëpi afër Rinasit, ku sipas tij kryhej transplant.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)