E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Vlerësimi ynë për PBB-në është i saktë

Debati nëse rritja ekonomike prej 9.9 për qind ka qenë e vërtetë apo ka qenë një shifër e fabrikuar nga qeveria, nuk ka përfunduar ende për INSTAT. Shumë ekspertë nuk e kanë përmbajtur ironinë mbi këtë shifër. "Nuk mund të jetë e vërtetë", komentonte ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, atëherë. "Është njësoj si një makinë që ecën me 60 kilometra në orë, papritur fillon të ecë me 100 km në orë. Nuk do të na shpëtonte pa e vënë re", vijoi ai.

Së fundmi, qe ish-drejtoresha e INSTAT Milva Ekonomi, e cila shprehu dyshime mbi saktësinë e shifrave. "INSTAT nuk duhej t‘i publikonte ato tregues", tha ajo. Edhe shumë ekspertë të tjerë thonë se jo për faj të INSTAT, grumbullimi i rezultateve financiare tremujore nga kompanitë, qofshin këto edhe publike, është një procedurë shumë e vështirë.

"Departamenti i Statistikës të FMN bëri të ditur në raportin më të fundit të asistencës teknike mbi llogaritë kombëtare se INSTAT ka bërë progres në përpilimin e të dhënave. Ndërsa në të thuhet se ka ende vend për përmirësim në kanalizimin e burimeve të statistikave të bazës ekonomike", deklaroi dje INSTAT, duke iu referuar një raporti të brendshëm të FMN. INSTAT publikoi një letër ku nuk shkruhej gjëkundi se shifra e sipërpërmendur qe e saktë, ndërsa refuzoi të publikonte raportin e plotë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›