Shtëpia juaj në faqen e bashkisë
Bashkia e Tiranës ka prezantuar fazën e dytë të sistemit GIS (Sistemi Informativ Gjeografik). Tashmë në adresën zyrtare të Bashkisë së Tiranës www.tirana.gov.al, qytetarët mund të njihen me situatën urbane të zonës ku ata banojnë, mund të gjejnë informacion mbi pronën e tyre, si në lidhje me gjendjen ekzistuese ashtu dhe me propozimet e studimeve urbanistike, zonimin sipas Planit Rregullues në fuqi, si dhe zhvillimin që parashikohet nga Plani Rregullues në pronën e tyre. Sistemi WEB-GIS është hapi i parë drejt iniciativës “one-stop shop” që do të shkurtojë dhe lehtësojë procedurat administrative për marrjen e një lejeje zhvillimi. Bashkiakët kanë shpjeguar se Sistemi GIS, është lehtësisht i aksesueshëm nga interneti dhe do të rrisë në mënyrë të ndjeshme transparencën, duke i prerë rrugën abuzimeve me mundësinë e zhvillimit të një territori. Jo vetëm kaq, por Sistemi GIS, do të lehtësojë punën e arkitektëve dhe të zhvilluesve në saktësimin e elementëve bazë që duhet të merren në konsideratë për zhvillimin e një territori të caktuar. Nënkryetari i Bashkisë, Eduard Shalsi, i pranishëm në prezantimin e këtij projekti, ka sqaruar se në fazën e dytë të projektit, i cili realizohet me mbështetjen e GTZ-së, sistemit GIS do t’i shtohen 3 atribute të reja, përveç faktit që është një nga përbërësit kryesorë të projektit për hartimin e Planit të Ri Rregullues e pikërisht: Taksat, Planifikimi Urban (tashmë ekzistues, do të pasurohet më tej) dhe Pronat Publike. Faza e parë e ngritjes së Sistemit Informativ Gjeografik (GIS) konsistoi në përgatitjen e hartave të dixhitalizuara dhe grumbullimin e të dhënave, një proçedurë e cila ka nisur që në fillim të vitit 2004. Kjo fazë ka siguruar krijimin e bazës së nevojshme informative, e cila do të shërbejë për të mbështetur planifikimin urban dhe miradministrimin e territorit në Bashkinë e Tiranës. Sistemi GIS i aplikuar integron në një sistem të vetëm të gjitha burimet e informacionit, imazhet satelitore, hartat topografike, hartat e infrastrukturës e planet urbane, modelin tripërmasor të ndërtesave dhe të objekteve të ndryshme, bazën e të dhënave alfanumerike në të cilën do të ruhen informacionet mbi pozicionin fizik dhe situatën e infrastrukturës urbane dhe shoqërore të Bashkisë së Tiranës. Ky sistem ofron përpunim të shpejtë dhe të integruar të burimeve përkatëse të informacionit, duke mundësuar kështu një planifikim të përshtatshëm, vlerësim të saktë dhe të shpejtë të situatave si dhe vendimarrje racionale. Në vijim të përditësimit periodik të informacionit, në sistemin GIS të Bashkisë së Tiranës është përfshirë fotoja ajrore 2007 dhe informacioni është përditësuar me të dhëna mbi objektet, ekonominë, popullsinë, pikat e monitorimit të ndotjes mjedisore, infrastrukturën e realizuar etj.