MSH: Skema që u përdor për abuzimin me barnat e spitaleve
Drejtoria e Auditimit në Ministrinë e Shëndetësisë tregon rezultatet e para të kontrolleve nëpër spitale. Tenderat ishin të trukuara
Abuzimet e planifikuara nga firma farmaceutike në bashkëpunim me institucione shtetërore sollën krizën e barnave në disa spitale të vendit. Kështu, kontrollet nga Drejtoria e Auditimit në spitalet rajonale kanë zbardhur rrugën se si janë bërë abuzimet me miliona euro në kurriz të barnave që duhej të viheshin në shërbim të pacientëve. Burime pranë kësaj drejtorie bënë publike shkeljet e para që kanë konstatuar nga kontrolli i 8 spitaleve rajonale. Sipas tyre, tenderat e zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë në disa raste kanë qenë të trupuara, duke favorizuar firma të caktuara.
Kontrollet
Firma të ndryshme farmaceutike, për të spastruar barnat që u kanë mbetur stok, kanë bërë marrëveshje me ish-drejtuesit e Shëndetësisë dhe me anë të tenderave kanë përfituar miliona lekë. Kështu, Drejtoria e Auditimit në Ministri pohon se nëpër spitale janë bërë furnizime me ilaçe të panevojshme, afër datave të skadencës dhe abuzime me fondet e lëvruara për blerjen e medikamenteve. Sipas kësaj drejtorie deri tani kanë kaluar në sitë 8 spitale rajonale të vendit, ndërsa aktualisht po verifikohen Fieri, Gramshi dhe Saranda. “Të tjera ilaçe kanë kërkuar dhe me të tjera janë furnizuar. Kështu në spitalin e Fierit gjendja është që, kërkesa e këtij spitali për 70 mijë serume, është realizuar vetëm me 10 mijë serume dhe furnizimi tjetër ka qenë me ilaçe të pakërkuara dhe të panevojshme”,- bëhet ditur nga Drejtoria e Auditimit. Ndërkohë kjo drejtori bën të ditur edhe skemën e përdorur për të pastruar magazinat e grosisteve nga medikamentet e mbetura stok. Sipas tyre, një nga mënyrat e përdorura për abuzime është paracaktimi i kritereve të një tenderi aq me detaje, saqë mund t’i plotësonte vetëm një firmë që i dinte paraprakisht këto të dhëna. Pas tenderimit ajo shpallet automatikisht fituesja, pasi është e vështirë që një kompani tjetër të plotësoje kushtet e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë. “Për blerjen e një sasie ilaçesh, fondi limit përcaktohet në bazë të kontratave të mëparshme. Në bazë të çmimeve të marra nga INSTAT dhe me çmimet e tregu dhe mos argumentimi se ku janë marrë për bazë këto çmime, ka çuar që fondet e prokuruara, ose më saktë, ne dyshojmë se janë më të larta se çmimet e tregut”,- bëhet e ditur nga Drejtoria e Auditimit në Ministrinë e Shëndetësisë. Tenderat e zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë në disa raste kanë qenë të trukuara duke favorizuar firma të caktuara.
8 spitale të vendit u janë nënshtruar kontrollit të Drejtorisë së Auditimit në Ministrinë e Shëndetësisë aktualisht.
26 milionë euro është shuma e deklaruar me abuzimet e barnave nëpër spitale deri tani nga kontrollet e bëra nga Auditimi.
Sipas Zyrës së Auditimit në MSH, kontrollet kanë rezultuar me emërime në mënyrë abuzive nëpër spitale
Kontrollet, emërimet në spitale janë bërë në mënyrë abuzive
Emërimet e mjekëve dhe drejtuesve të spitaleve, janë abuzime të tjera që janë bërë nga ish-drejtuesit e Shëndetësisë. Ky është konstatimi i Zyrës së Auditimit pranë dikasterit të Shëndetësisë, të cilët pohojnë se po bëjnë verifikimet përkatëse në të gjitha spitalet, por sipas tyre do t’u duhen të paktën tre muaj për të dalë me emra dhe propozime konkrete në raste abuzimesh, që kërkojnë ndjekje penale. Sa i takon fryrjes së administratës me personel, denoncimin e ka bërë edhe vetë drejtoresha e spitalit më të madh në vend “Nënë Tereza”, Gjeorgjina Kuli, duke theksuar se për këtë ka njoftuar edhe dikasterin e Shëndetësisë. Ndërsa ish-drejtori i QSUT-së, Mihal Tase pohoi për gazetën para pak ditësh, se kur ai drejtonte këtë spital 4 vjet më parë, numri i personelit të administratës ishte 2-fish më i vogël se administrata aktuale. “Për mendimin tim, problemi nuk qëndron vetëm tek numri i personave që punojnë aty, por tek cilësia dhe aftësitë e atyre peronave që kanë zënë karrigen në administratë’, - pohon Mihal Tase, duke shtuar se ky spital pret mijëra pacientë, ndaj dhe kërkon një administrim sa më të kujdesshëm dhe cilësor. E ndërsa tashmë fakt është numri i lartë i personelit në administratë, ende nuk ka ndonjë përgjigje zyrtare se çfarë do të bëhet me personat që punojnë aty dhe aq më tepër me ata që kontributin e tyre e tregojnë vetëm duke marrë rrogat.