E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Shumë reforma mbeten në letra

Përfaqësuesit e Bankës Botërore kanë deklaruar se Shqipëria ka ende shumë për të bërë në zbatimin e ligjit

Hartuesit e Raportit “Si të bësh biznes 2009” deklaruar gjatë ditës së djeshme se vlerësuan ligjet por jo zbatimin e tyre. Kjo ka qenë edhe arsyeja që lëvizja e Shqipërisë në renditjen e përgjithshme në këtë raport ishte e madhe. Autorët e raportit “Si të bësh biznes 2009”, të publikuar nga Banka Botërore, kanë mbërritur në Tiranë për të shpjeguar rezultatet e arritura nga Shqipëria, me qëllimin për t’i dhënë publikut një lexim sa më të drejtë të tyre. Një nga pikat më të debatuara në publik është ajo nëse Shqipëria i ka bërë këto përparime vetëm në letra dhe në miratimin e ligjeve të mira, apo është duke i vënë në praktikë ato.

Kritikat për ndërtimin

Procedurat e gjata në sektorin e ndërtimit kanë qenë një ndër pikat e dobëta që ka evidentuar raporti i Bankës Botërore “Si të bësh biznes 2009”. Gjatë prezantimit në detaje të këtij raporti, drejtuesit e Bashkisë së Tiranës kanë shpjeguar se procedurat e gjata në këtë sektor janë rrjedhojë e ligjit në fuqi.

Kryeministri Berisha ka përkrahur heqjen e burokracive në këtë sektor dhe ka deklaruar se së shpejti do të miratohet në Parlament ligji i ri, i cili do të parashikojë kohën më të shkurtër të mundshme. Ndërkohë përfaqësuesit e biznesit kanë kërkuar nga ekzekutivi që të diskutojë me ta përpara se të miratojë ligjet dhe jo t’i vendosë para faktit të kryer. Një ndër problemet që kanë evidentuar përfaqësuesit e Bankës Botërore ka qenë vështirësia për të mbyllur një biznes. Për këtë tregues, në raport Shqipëria renditet në vendin e fundit.

“Shfryhen” arritjet

Duke u bazuar kryesisht vetëm në reformat rregullatore dhe jo në zbatimin e tyre në praktikë, raporti i BB vë në pikëpyetje shumë rezultate. Tregues të tillë, si mbrojtja e biznesmenëve që kanë vënë edhe përmirësimin e dukshëm në renditje të vendit në praktikë, thuajse nuk njihen. Nuk ka asnjë mbrojtje për investitorët në vend, ndërsa BB e ka vlerësuar këtë tregues me përmirësimin më të madh, në një vit. “Përpara se të përfshijmë një ligj në raportin tonë, ne kontrollojmë nëse ky ligj zbatohet, apo është i zbatueshëm”,- ka deklaruar Penelope Brook, Drejtoreshë e Analizave në BB.

Por publikimi i raportit dhe rezultatet e Shqipërisë kanë hapur së fundmi një tjetër debat mes ekspertëve. Atë që ka të bëjë me dilemën nëse është më mirë të shkurtohen më shumë procedura, çka mund të cenojë zbatimin e ligjit apo të mbahen më shumë procedura, të cilat garantojnë mbrojtje për konsumatorët.

Në këtë pikë, shefja e Bankës Botërore në Tiranë, Camille Nuamah ka dashur të bëjë një saktësim. “Unë nuk dua të jetoj në një ndërtesë në Tiranë që nuk është certifikuar nga rreziku i tërmeteve. Pra, duhet kontroll dhe siguri, pastaj lehtësimi për biznesin”,- ka pohuar Nuamah. Raporti “Si të bësh biznes 2009” e renditi Shqipërinë si një nga 10 ekonomitë më reformatore të këtij viti, çka u komentua nga qeveria me një optimizëm mjaft të madh.

---------------------------------------Bizneset, kampionët e kredisë

Biznesi i është kthyer bankave, duke zënë vendin e parë si grupim në portofolin e kredive të bankave. Në ndryshim nga një tendencë e vënë re kohët e fundit, u evidentua ritëm më i lartë rritës për kredinë akorduar bizneseve kundrejt kredisë dhënë individëve, dhe kryesisht e dhënë në monedhë të huaj, veçanërisht për bizneset. Gjatë këtij tremujori të dytë, kredia në monedhën vendase u rrit me ritme të krahasueshme me kredinë në monedhë të huaj. Zhvillimet për pjesën e pambuluar të kredisë në monedhë të huaj nga rreziku i kursit të këmbimit, tregojnë sërish peshën më të madhe që zë segmenti “për pasuri të paluajtshme”, prej rreth 54.1 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›