Shtëpia karakteristike e Kokobobove po shndërrohet në gërmadhë
Një tjetër banesë karakteristike në Gjirokastër ka pësuar dëmtime të konsiderueshme për shkak të shirave të ditëve të fundit.
Shtëpia e Kokobobove në lagjen “Palorto”, me moshë 250-vjeçare, e braktisur prej vitesh nga pronarët, si shkak i amortizimit është kthyer tashmë thuajse në një gërmadhë të vërtetë. Pas çatisë, së fundmi muri anësor i saj është shembur fare.
Madje në njërën pjesë të saj banon një familje, me tre persona. Banorët e zonës pohojnë se përveç keqardhjes për rrënimin e vlerave të kësaj banese me vlera të veçanta ndihen të rrezikuar, ndërsa jo më shumë të mbrojtur janë edhe kalimtarët.
20 familjet që kanë shtëpitë e tyre pranë mureve të gurta vazhdimisht kanë kërkuar ndërhyrje për heqjen e rrezikshmërisë.
Shtëpia “Monument Kulture” e Kokobobos është pjesë e listës së 12 banesave karakteristike në qytetin e Gjirokastrës, të cilësuara në rrezik shembjeje. Ndërkaq, specialistët e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare e kanë gati projektin për rikonstruksionin e saj dhe pritet çelja e fondeve për të ndërhyrë. / Entela Bani