E Diel, 1 Nëntor 2026

100-vjetori i Pavarësisë, Berisha: Shqyrtim serioz të historisë

Kryeministri Berisha ka kërkuar shqyrtim serioz të historisë së Shqipërisë në 1 shekull pavarësi të saj. Duke folur në komitetin shtetëror për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, kreu i qeverisë ka theksuar se duhet ridimensionim të figurave të histories si dhe prodhim të objekteve të lidhura me 100 vjetorin si dhe logon e pavarësisë.
 

“Do të bëjmë gjithçka që ky vit të jetë një motiv i madh për një horizont të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kemi shumë nevojë që këtë 100 vjetor ta shndërrojmë në 100 vjetorin e 100 viteve të tjera. Ne vijmë pas një shekulli mundimesh të mëdha, dhimbjesh, sakrificash, por e vërteta është edhe arritjesh ndër më të mëdhatë në historinë shekullore të kombit dhe vijmë si një komb i lirë, shekull që kaloi në mjerim, varfëri, por që u mbyll me vendosjen e një sistemi të ri në vend”-ka theksuar Berisha.
 

Sipas tij, duhet të bëhen gjithë përpjekjet drejt të vërtetave të pavarësisë sonë, të historisë sonë, e cila sipas tij pavarësisht nga dritëhijet është një histori e madhe qendrese, mbijetese, luftrash e përpjekjesh, që u kurorëzua me pavarësinë e Kosovës”.

“Zotërinj ministra është e rëndësishme që ne të mbështesin fort institucionet tona kërkimore në përpjekjen e tyre për një shqyrtim të ndershëm serioz të një shekulli Shqipëri e pavarur. Nuk mund të thuhet se qëndrimet e njëanshme në histori nuk kanë ndikuar në qëndrime të njëanshme në tërësi, kështu që është e domosdoshme të ridimensionohen figurat kryesore të këtyre 100 vjetëve të pavarësisë së vendit. Besoj se disa prej tyre Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Hasan Prishtina, duhet të kenë praninë e tyre në kryeqytet. Pavarësia vërtetë u shpall në Vlorë, por ishte akt madhor dhe këta dhanë kontributin e tyre të pamohueshëm”- theksoi ai.
 

Kryeministri Berisha theksoi se viti 2012 do të jetë viti i flamurit tonë kombëtar ndërsa shtoi se Shqipëria në 100-vjetorin e saj do të nderohet siç e meriton. “Është flamuri më i bukur i botë dhe është interesante se ne dhe ditën e pavarësisë e quajmë të flamurit dhe hymnin e kombit e kemi të flamurit. Duhet të bëjmë gjithçka që ky flamur në 100 vjetorin e pavarësisë të valëvitet në çdo ballkon shqiptarësh në Shqipëri dhe botë” ka shtuar Berisha.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›