Shtesa në pagë, si do vlerësohen 2400 mësues
Provimi më 21 prill. Penalizime kush shkel rregulloren.
Më 21 prill, rreth 2400 mësues do ti nënshtrohen testimit për shtesën në pagë. Nga sa bëjnë me dije drejtoritë arsimore, procedurat e dorëzimit të dosjeve kanë përfunduar. Mësuesit kanë marrë programet orientuese dhe ne jemi drejt përfundimit të testeve për ta, thanë burime zyrtare nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA). Testi me shkrim do të përmbajë katër rubrika, të cilat do të vlerësohen sipas një raporti harmonik të balancuar, dokumentet zyrtare, të cilat kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, aspekte të pedagogjisë dhe metodologjisë në mësimdhënie-nxënie në përgjithësi, si dhe përmbajtjen shkencore të lëndës shkollore sipas programit lëndor përkatës. Në rast se një mësues kapet duke kopjuar apo komunikon në klasë gjatë dhënies së provimit, ai do të përjashtohet duke humbur automatikisht të drejtën për të marrë shkallën e kualifikimit, sqaruan specialistët e IZHA. Sipas tyre, rregullorja e provimit parashikon heqjen e 10 pikëve për të gjithë ata mësues që plotësojnë testin me laps apo bëjnë shënime të tjera përveç atyre që kërkon testimi.
Skema e vlerësimit
Vlerësimi do të bëhet me 5 shkallë. Ato do të jenë përkatësisht A, B, C, D, E, që i korrespondojnë vlerësimit me fjalë shkëlqyeshëm, shumë mirë, mirë, mjaftueshëm, dobët. Shtesat do të jenë sipas viteve të punës. Në total, një mësuesi i duhen 100 pikë për të marrë vlerësimin maksimal. Përveç provimit, janë edhe dy komponentë të tjerë. Portofoli profesional, i cili në total vlerësohet me 15 pikë, bonuset -15 pikë dhe testi me shkrim -70 pikë, sqarojnë specialistët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit, që organizon dhe vlerëson testimin e mësuesve. Sipas rregullores, procedurave të kualifikimit u nënshtrohen vetëm mësuesit që plotësojnë vjetërsinë e mëposhtme të punës, nga 5 deri në 9 vjet për shkallën e tretë të kualifikimit, nga 10 deri në 19 vjet për shkallën e dytë të kualifikimit. Për këtë të fundit duhen të paktën 5 vjet pas marrjes së shkallës së tretë. Mësuesit që kanë nga 20 e më shumë vjet testohen për shkallën e parë të kualifikimit, por të paktën 10 vjet pas marrjes së shkallës së dytë. Vjetërsia në punë është kushti kryesor për tu bërë pjesë e procesit të vlerësimit. Arsimtarët që do të kenë në portofolin e tyre profesional dëshmi të gjuhëve të huaja, dëshmi të studimeve pasuniversitare, si dhe njohuri mbi kompjuterin, do të futen me pikë shtesë në testim. Mësuesit e ciklit të lartë të arsimit bazë dhe ata të gjimnazit, që japin më shumë se një lëndë, do ti nënshtrohen provimit për lëndën në të cilën zhvillojnë më shumë orë mësimore vjetore gjatë vitit shkollor 2011-2012.
Kategorite
Kualifikimi- Shkalla e parë e vjetërsisë 20 e më shumë vjet
Shtesa 20%- Shkalla e dytë e vjetërsisë 10-19 vjet
Shtesa 10%- Shkalla e tretë e vjetërsisë 5-9 vjet
Shtesa 10%
Vleresimi i mesuesve
Në provim kandidatët do të vlerësohen për:
- Dokumentet zyrtare, të cilat kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve
- Programet përkatëse lëndore
- Aspekte të pedagogjisë dhe metodologjisë në mësimdhënie-nxënie në përgjithësi, si dhe të lëndës
- Aspekte të komunikimit dhe etikës në shkollë
- Aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe
- Përmbajtjen shkencore të lëndës shkollore sipas programit lëndor përkatës
- Njohuri dhe aftësi të tjera të cilat përcaktohen në udhëzimin vjetor të ministrit
Testimi me shkrim 70 pikë
Portofoli profesional 15 pikë
Bonuset 15 pikë
ZIRINA LLAMBRO