E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtetasit e huaj kërkojnë azil në Kosovë

Prishtinë (start)-Derisa zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme vlerësuan se Ligji për të huajt dhe Ligji për azilin në Kosovë është i hartuar në përputhje me standardet evropiane dhe Pakon e Ahtisaari-t, zyrtarë të Policisë së Kosovës shprehën shqetësimin për vështirësitë praktike që po has policia në këto fusha.

Kështu u vlerësua të premten, në konferencën me temë “Për një kornizë ligjore në Kosovë të harmonizuar me Acquis Communautaire- Perspektiva, politika dhe teknika”, ndërsa debati ishte i fokusuar në përafrimin e legjislacionit të Kosovës në fushën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë.

Naim Shala, përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Brendshme tha se nga 42 ligje sa janë të parapara me Pakon e Ahtisaari-t, 7 prej tyre i takojnë fushës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa në kuadër të këtyre ligjeve është Ligji për të huajt dhe ai për azilin.

Ai duke sqaruar Ligjin për të huajt dhe atë për azil, theksoi se janë në përputhje të plotë me Pakon e Ahtisaari-t, të bazuara në konventat ndërkombëtare që rregullojnë këtë fushë dhe rrjedhimisht në përputhje me standardet evropiane.

Ndërkaq, Refki Morina nga Drejtoria për migrim dhe të huaj në kuadër të Policisë Kufitare, tha se sikur përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ashtu edhe policia e kanë shumë të qartë me vështirësitë që hasen në zbatimin e ligjit në fushën e azilit.

Morina theksoi se qysh prej shpalljes së pavarësisë, është vërejtur fluks i shtuar i azilkërkuesve në Kosovë nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia, ndërsa njoftoi se çdo të tretën natë ka nga një azilkërkues.

“Në praktikë ende nuk ka filluar të zbatohet Ligji për azilin, ndërsa ne ende e përdorim Rregulloren e UNMIK-ut 2005/16 dhe Urdhëresën administrative 2005/8, e cila deri diku i plotëson disa kushte, mirëpo është shumë e mangët dhe gjatë punës praktike ne po kemi vështirësi në aplikueshmërinë e tyre”, tha Morina.

Ai tha se ka edhe paqartësi të kompetencave në këto fusha, dhe shumë herë “topi” i përgjegjësisë bie tek policia, ndërsa policia sipas tij, ka vështirësi të shumta edhe për faktin se mungon Shtëpia e Azilit.

Ndërsa, përfaqësuesi i MPB-së, duke sqaruar se tashmë në këto fusha janë Ligjet në fuqi dhe përgjegjëse janë institucionet vendore, tha se janë në dijeni për vështirësitë që ka policia.

Mirëpo, sipas Naim Shalës nga MPB-ja, Ligjet kanë edhe listën e akteve dytësore dhe në këtë drejtim MBP ka formuar Grupet punuese për hartimin e akteve dytësore, të cilat do të ndihmojnë zbatimin e ligjeve.

Ndërsa, për mungesën e shtëpisë së azilit, ai tha se BE për këtë vit ka premtuar ndërtimin e një objekti të tillë, mirëpo megjithatë nuk është arritur të ndërtohet.
Duke shfaqur shpresën se shtëpia e azilit mund të ndërtohet vitin e ardhshëm Shala tha se ndërtimi i saj kërkon standarde të larta.

Ndërkaq, pjesëmarrësit në konferencë vlerësuan se rregullimi i fushës së drejtësisë, sigurisë dhe lirisë në BE duhet analizuar me kujdes, sepse mund të ketë raste që çështjet të jenë rregulluar me anë të Direktivave evropiane, ndërsa në raste tjera mund të jetë e rregulluar me marrëveshje ndërshtetërore.

Veton Ruogova

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›