Shtetasit kosovarë nuk janë në grevë

(E plotësuar) Sipas Ministrisë për Punë të Jashtme në grevën e urisë në Hungari nuk janë përfshirë shtetasit e Kosovës.
“Sipas informacioneve të ambasadës tonë në Hungari, të cilët kanë kontaktuar me autoritetet hungareze tregojnë se në grevën e urisë nuk janë përfshirë shtetasit e Kosovës. Po ashtu nuk ka pasur tentim vetëvrasje prej shtetasve kosovarë.” ka thënë Artan Behrami, zëdhënës i MPJ-së.
Në reagimin e kësaj ministrie thuhet se shumë shpejt do të kthehen në Kosovë të gjithë azilkërkuesit.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet hungareze. Për festën e Bajramit janë kthyer edhe 100 shtetas të tjerë.
Në ditët dhe javët e ardhshme do të kthehen edhe të tjerët. Tash për tash në Hungari gjinden rreth 250 shtetas të Kosovës. Shumica e tyre po qëndrojnë në qendrat e azilkërkuesve dhe një numër i vogel në qendra të ndalimit” përfundon reagimi.
.................
Rreth 30 kosovarë kanë hyrë në grevë urie që nga dita e djeshme në kampin Bekenshop të Hungarisë.
Disa prej tyre po kërkojnë më çdo kusht azil nga Hungaria në mënyrë që të mos kthehen më në Kosovë.
Një kosovar është lajmëruar përmes telefonit nga kampi në Bekenshop, i cili për Indeksonline ka rrëfyer jetën e vështirë që po e bëjnë.
“Dje në kamp ka nisur një grevë urie, prej 130 personave që kanë hyrë në grevë, rreth 30 janë nga Kosova, të cilët po kërkojnë azil nga Hungaria”, ka deklaruar ai, duke shtuar se gjendja e disa prej kosovarëve është përkeqësuar dhe askush nga stafi mjekësor nuk po e "qan kokën" për ta.
Sipas tij, dje ka ndodhur një rast tentim vetëvrasje brenda kampit. “Një kosovar ka hipur në kulm të kampit dhe ka tentuar të vras veten”, ka deklaruar kosovari, që tashmë e disa javë ndodhet në kampet hungareze./Indeksonline/