Shtetet e Gjirit Persik kërkojnë dorëheqjen e Salehut

Shtetet e Këshillit për Bashkëpunim në Gjirin Persik kërkuan nga presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh që të japë dorëheqjen. Saleh, kundër të cilit prej javësh nuk kanë të ndalur protestat masive duhet t`ia kalojë pushtetin zëvendësit të tij Abed Rabbo Mansur, sqaruan ministrat e Jashtëm të Këshillit gjatë një takimi në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad.
Ndërkaq Salehut duhet t`i garantohet mosndjekja penale. Ministrat e Jashtëm folën përveç kësaj për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, e cila do të drejtohej nga opozita. Në kryeqytetin jemen Sanaa, dhjetëra mijëra protestues kërkuan përsëri dorëheqjen e Salehut. Deri tani Salehu i cili ndodhet në pushtet prej 32 vjetësh ka refuzuar të japë dorëheqjen.
Në Këshillin për Bashkëpunim të Gjirit bëjnë pjesë Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Omani, Kuvajti dhe Bahrejni. Pak ditë më parë, burime të afërta me Presidentin jemenas Ali Abdullah Saleh njoftuan se ai kishte pranuar një ftesë nga Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit Persik për të zhvilluar bisedime në Arabinë Saudite me përfaqësues të opozitës, të cilët i kërkojnë të japë dorëheqjen.
Mediat perëndimore njoftuan më pas se grupe opozitare i kanë përshëndetur bisedimet. Këto zhvillime ndodhin ndërkohë që dhuna në Jemen vazhdon për më shumë së një javë, ku për pasojë kanë humbur jetën dhjetëra njerëz.