E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtetet e hallakatura duhet të lënë Eurozonën

Kancelarja Merkel bën thirrje për përjashtim të anëtarëve “të këqij” në të ardhmen

Kancelarja gjermane Merkel deklaroi dje se Eurozona duhet që të jetë e aftë që të përjashtojë anëtarët që thyejnë vazhdimisht rregullat fiskale të grupit. Në një fjalim para Parlamentit gjerman, kancelarja e vendit më të fuqishëm të Europës nënvizoi se një vendim i tillë duhej të ishte sigurisht një masë ekstreme që duhet të merrej vetëm pasi të ishin konsumuar të gjitha hapat e tjerë. Sipas saj, rregullat aktuale të Paktit të Stabilitetit nuk janë të mjaftueshme për të zgjidhur të gjitha llojet e vështirësive që dalin në zonën e Europës. “Në të ardhmen, ne kemi nevojë për të bërë një ndryshim në Traktatin e Lisbonës, që do të mundësojë, si masë të fundit, përjashtimin e një vendi të caktuar nga Eurozona, nëse kushtet e anëtarësimit nuk përmbushen në mënyrë të vazhdueshme dhe për një kohë të gjatë”, deklaroi Merkel. “Në të kundërt, bashkëpunimi me të gjitha vendet do të ishte i pamundur”

Tregjet ndërkombëtare financiare dyshojnë shumë në aftësinë e Greqisë për të dalë nga kriza e rëndë ku është zhytur përmes reduktimit të shpejtë të deficitit buxhetor. Sipas shumë analistëve, edhe masat e rrepta që janë marrë nga qeveria për të reduktuar shpenzimet, nuk janë të mjaftueshme për arritjen e objektivave të vënë dhe në kohën e duhur. Situata në të cilën ndodhet Greqia e ka vënë monedhën e përbashkët dhe të gjithë Eurozonën në situatën më të vështirë që nga krijimi i saj. E gjithë kjo situatë aktualisht po ndikon edhe në riformëzimin e politikave të vendeve të ndryshme ndaj njëri-tjetrit për sa i përket marrëdhënieve financiare. Deficiti aktual i Greqisë është 12.7% i Prodhimit Kombëtar Bruto dhe Athina shpreson shumë që të arrijë që ta ulë me 3%. Frika ekziston edhe për shtrirjen e krizës në përmasat e Greqisë te vendet e tjera të Eurozonës, si Spanja, apo Portugalia. Komentet e kancelares gjermane Merkel i bëjnë jehonë planeve të ministrit të Financave, Wolfgang Schaeuble, të cilat i parashtroi në fillim të këtij muaji. Sipas tij, ishte shumë e nevojshme ngritja e një Fondi Monetar Europian, sipas modelit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për të ndihmuar të gjitha vendet e Eurozonës që hasin dhe do të hasin vështirësi financiare në të ardhmen. Sigurisht, sipas tij, kjo duhej shoqëruar me një tërësi masash dhe rregullash më strikte sa i përket financave.

Opinioni publik në Gjermani është tërësisht kundër një pakete financiare për të shpëtuar Greqinë. Berlini në një rast të tillë do të ishte kontribuuesi më i madh, duke qenë se është shteti më i fuqishëm i BE-së, për sa i përket forcës ekonomike. Ndaj edhe qeveria gjermane është shumë e kujdesshme kur flet për çështjen e Greqisë dhe paketës së saj financiare. Ndërkaq deklarata e Merkelit ende nuk ka marrë komente në masë, por ka pasur edhe nga ato burime anonime të shprehur në favor të saj. Sipas tyre, duhet të ekzistojnë ligje që veprojnë në rastin kur një shtet ka një performancë të dobët ekonomike, në mënyrë të vazhdueshme dhe mbi të gjitha mungesë transparence në lidhje me shifrat dhe mbarëvajtjen e zërave kryesorë të ekonomisë dhe buxhetit. Merkel ka vazhduar gjithashtu të thotë se asnjë vend anëtar i Eurozonës nuk duhet lënë i vetëm në zgjidhjen e vështirësive, sepse kjo do të kishte një ndikim shumë negativ për vendet e tjera. Por sipas saj “një akt i shpejtë solidariteti nuk është zgjidhja e duhur”, duke konfirmuar linjën gjermane se paratë do t’i jepen Greqisë vetëm në rastin e një urgjence shumë të madhe. E kjo datë mund të jetë diku aty nga mesi i muajit prill apo maj, kur pritet që të bëhet edhe maturimi i borxhit grek prej 20 miliardë dollarësh.

Për sa i përket Greqisë, të martën, ministrat e Financës së BE-së ranë dakord në lidhje me krijimin e një mekanizmi më të detajuar për të ndihmuar Greqinë që të dalë nga kriza, por vendimi politik për të njoftuar detajet për planin ende nuk është marrë. Për sa i përket burimeve të ndryshme, ato bëjnë të ditur se qeveria greke e Pasokut po pret javës që vjen ndërmarrjen e një hapi konkret ndihme dhe në rast se nuk do ta marrë ndihmën që kërkon nga BE, Athina mund t’i drejtohet edhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›