E Diel, 1 Nëntor 2026

Grasso: Të burgosurit shqiptarë do të transferohen nga Italia

Kreu i Antimafies italiane takon Ina Ramën: Bashkëpunim për letër-porositë dhe ekstradimet

Shqipëria është gati të presë të burgosurit që vuajnë dënimin në Itali. Kreu i Antimafies italiane, Piero Grasso, gjatë një takimi me Kryeprokuroren shqiptare, Ina Rama, tha dje se janë të gjitha mundësitë e transferimit të disa shtetasve të dënuar nga shteti italian, për të vuajtur dënimin e mbetur në Shqipëri. Bashkëbiseduesit thanë se gjithçka do të jetë në zbatim të të gjitha procedurave ligjore, ndërsa një pikë tjetër e bisedës ishte edhe njohja e vendimeve penale të shtetit italian ndaj shtetasve shqiptarë. “Biseda mes Kryeprokurores Ina Rama dhe Kryeprokurorit të Antimafias italiane, Piero Grasso, është përqendruar në çështje konkrete në interes të të dyja palëve. Janë pikërisht ato çështje që ndiqen në mënyrë paralele nga dy prokuroritë. është diskutuar gjithashtu për ekzekutimin e letër-porosive respektive të të dyja zyrave që janë në proces e sipër.

Një nga temat e prekura ishte transferimi i të dënuarve shqiptarë në Itali”, thanë burimet nga akuza qendrore. Sipas tyre, Kryeprokurori i Antimafies italiane i bëri të njohur Ramës hapat e ndërmarrë deri më tani për ratifikimin e marrëveshjes mbi ekstradimin e shtetasve, marrëveshje e nënshkruar kjo nga qeveritë respektive në dhjetor të vitit 2007. “Gjatë bisedës është përforcuar vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta mes institucioneve të prokurorisë shqiptare dhe asaj italiane, me synim thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve në drejtim të luftës së përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve”, thanë burimet nga akuza.

Shqipëria ka miratuar ligjin për ekstradimin dhe transferimin e të dënuarve shqiptarë që vuajnë dënimin nëpër botë. Shtetasi shqiptar që vuan dënim me burgim në një shtet të huaj, me kërkesë të tij mund të transferohet në Shqipëri për vazhdimin e vuajtjes së dënimit të dhënë në shtetin e huaj. Ligji “për marrëdhëniet juridiksionale me shtetet e huaja në çështjet penale” ka sjellë pas 14 vitesh ndryshimin e legjislacionit. Sipas këtij ligji, shtetasi shqiptar i dënuar me burgim mund të transferohet vetëm me pëlqimin e shtetit që e ka dënuar, me kusht që shtetasi shqiptar i dënuar të ketë shprehur pëlqimin për transferimin dhe që pjesa e mbetur e dënimit të mos jetë më pak se gjashtë muaj. “Për procedurat e transferimit vlejnë dispozitat për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja. Vendimi i gjykatës vendase për njohjen e një vendimi penal të huaj i komunikohet personit të dënuar në shtetin dënues dhe u paraqitet gjithashtu autoriteteve kompetente të shtetit dënues”, thuhet në ligj. Sipas tij, pasi personi i dënuar të ketë nënshkruar marrjen e vendimit të komunikuar, konfirmimi i marrjes i paraqitet gjykatës që ka dhënë vendimin. Pasi vendimi të ketë marrë formë të prerë dhe autoritetet kompetente të shtetit dënues të kenë rënë dakord me të, fillon marrja e masave për transferimin e personit të dënuar nga shteti dënues në Republikën e Shqipërisë.

Shtetasi i huaj që kryen dënimin në Shqipëri, sipas një vendimi të gjykatave vendase, mund të bëjë kërkesë për të vazhduar vuajtjen e dënimit në vendlindje. Burgu është i detyruar të njoftojë të dënuarin që ka të drejtë ta kryejë dënimin në atdhe. Sipas ligjit, kur në Shqipëri është kryer një vepër penale nga një i huaj me vendbanim në shtetin e huaj, dosja penale mund t‘i transferohet atij shteti për qëllimet e ndjekjes penale dhe gjykimit, me kusht që shteti i huaj të mos kundërshtojë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›