E Diel, 1 Nëntor 2026

Sektori privat rrezik recesioni ne Eurozone

Në muajin mars ekonomia në sektorin privat në vendet e Eurozonës ka shënuar një rënie të ndjeshme. Sipas studimeve të “Markit Economics”, indeksi PMI, që mat ecurinë e sektorit industrial dhe atij të shërbimeve, tregon ulje për këta sektorë në muajin e kaluar. Por rënia e këtij indeksi do të thotë se edhe prodhimi në përgjithësi  është pakësuar gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke shtuar kështu mundësinë e një rikthimi të ekonomisë në recesion teknik.
Me një nivel në 49,1 pikë në muajin mars indeksi markit mbi prodhimin në Eurozonë ka rënë në minimumin e tre muajve. Gjithsesi vlera mesatare e këtij indeksi në tremujorin e parë, në 49,6 pikë, është në përmirësim krahasuar me mesataren e regjistruar në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Aktiviteti i sektorit të shërbimeve në muajin mars ka rënë për të dytin muaj në radhë, ndërkohë që prodhimi industrial është rrudhur për herë të parë në tre muaj. Në nivel kombëtar situata është mjaft e ndryshme.
Italia dhe Spanja vijojnë të mbeten në nivele të ulëta, ku indeksi PMI për prodhimin shfaqet respektivisht në nivelin e 45,6 pikëve dhe 46 pikëve. Vihet re gjithashtu se në Gjermani rritja e prodhimit është ngadalësuar  në nivelin më të ulët në tre muaj. Ndërkohë që edhe Franca sinjalizon uljen e parë të prodhimit industrial në katër muaj. I vetmi vend ku janë rregjistruar të dhëna pozitive është Irlanda me një normë të rritjes në 52,4 pikë, niveli më i lartë në 11 muaj. Në një raport tjetër mbi Eurozonën, zyra europiane e statistikave bën me dije se në muajin shkurt shitjet me pakicë në Europë kanë shënuar ulje. Në Eurozonë volumi i shitjeve ka rënë me 0,1% kundrejt janarit, ndërsa në BE me 0,4%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›