E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti mbron ndihmësit personalë të personave me aftësi të kufizuar, periudha e kujdesit u njihet si vjetërsi pune për pension dhe barrëlindje

Qeveria ka miratuar një sërë shtesash në vendimin nr. 751/2022, duke zgjeruar skemën e mbrojtjes së veçantë shtetërore. Përveç grave të papuna me tre apo më shumë fëmijë deri në 18 vjeç, tashmë në këtë skemë përfshihen edhe ndihmësit personalë të personave me aftësi të kufizuar dhe të të verbërve.

Nisma e propozuar nga Ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u garanton këtyre kujdestarëve mbulimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit.

Njohja e periudhës së kujdesit si vjetërsi pune

Vendimi i ri saktëson kategoritë përfituese dhe efektet direkte që sjell mbulimi i sigurimeve për personat që merren me kujdesin e kësaj kategorie qytetarësh.

Lidhur me njohjen e viteve të punës për efekt pensioni dhe leje lindjeje, në vendim përcaktohet se ndihmësve personalë të personave me aftësi të kufizuar dhe ndihmësve personalë të përfituesve të statusit të të verbrit, që nuk janë ekonomikisht aktivë dhe nuk përfitojnë të ardhura nga skema e sigurimit të detyrueshëm të sigurimeve shoqërore, periudha e kujdesit u njihet si periudhë sigurimi, për efekt përfitimi pensioni pleqërie dhe barrëlindjeje.

Kjo masë u vjen në ndihmë të gjithë atyre kujdestarëve që për shkak të përkujdesjes me kohë të plotë ndaj të afërmve ose personave me aftësi të kufizuara, e kanë pasur të pamundur të angazhohen në tregun e punës.

Roli i bashkive dhe financimi i skemës

Llogaritja dhe derdhja e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore do të kryhet në nivel vendor. Për procedurën e zbatimit, dokumenti zyrtar ngarkon pushtetin local.

“Bashkitë përcaktojnë listat e ndihmësve personalë dhe çdo muaj llogarisin e kryejnë pagesën e kontributeve, sipas parashikimeve të ligjit dhe të udhëzimit të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe çështjet sociale.”, thuhet në vendim.

Efektet financiare që rrjedhin nga ky vendim do të përballohen tërësisht nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, ndërsa do t’i shtrijë efektet e tij financiare dhe administrative nisur nga data 1 tetor 2026.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›