E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtirja - politikë e ditës

Shtirja është bërë politika e ditës në Shqipëri. Shumë sjellje e veprime, madje edhe ligje e vendime të rëndësishme, promovohen sa për t'u dukur.


Pothuajse gjithçka bëhet për të tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve, për të treguar vullnetin qeverisës, dëshirën për reforma. Ka patur të tilla që duheshin ndërmarrë dhe, me raste, i kemi vlerësuar, ne qytetarët dhe partnerët tanë.


Por në të njëjtën kohë, një sërë veprimesh të cekëta apo tentativash të paarritura, u shërbejnë klaneve të caktuara apo individëve të ndryshëm, për të ndërtuar karriera dhe për të siguruar fitime. Kështu është çështja me inaugurimet e rrugëve, ku nuk kanë përfunduar punimet, nuk ka sinjalistikë, rrezikohen udhëtarët.


(Ndër këto rrugë të papërfunduara, por të shpallura si të tilla, është edhe ajo Durrës-Kukës.) Ashtu si rrugët, bëhen edhe ligje sa për t'u dukur, për të fituar simpatinë e ndërkombëtarëve, për të treguar se kemi shkuar shumë përpara, aq sa nuk thuhet.


E tillë është përçartja për një ligj që do të lejonte martesat e individëve të të njëjtit seks. Temë nga më delikatet. (Shoqërisë shqiptare mund t'i shtrohen për diskutim shumë çështje që prekin problematika të mëdha dhe emergjente për këtë vend. Por jo martesat brenda së njëjtës gjini.)


Shtirja prodhoi përpara disa vitesh një ligj të ri për dhomat e tregtisë e të industrisë, ligj që mënjanoi organet kontrolluese dhe figurën e Presidentit, çka do të lejonte përzierjen e shtetit në punët e këtij institucioni.


Në një nga amendimet e mëvonshme të ligjit, anëtarësimi i subjekteve private në Dhomën e Tregtisë u bë vullnetar.


(Sipas modelit anglo-sakson.) Kjo ndodhi pak a shumë në vitin 2007 dhe ishte një amendim absurd; së bashku me disa nga nenet e pakuptueshme të ligjit të ri, ky amendim i denigroi përfundimisht këto institucione.


Si pasojë e zbatimit të një nisme të tillë shtiranjake - sikur ne të kishim arritur majat dhe institucionet tona nuk kanë më nevojë për inkurajim - dhomat e tregtisë, edhe në qytete të mëdha, mundin të regjistrojnë vetëm disa dhjetëra subjekte dhe mbijetojnë si mos më keq. Sot (thuhet se) veprojnë rreth 120 000 mijë biznese.


Dhe nëse në një qytet të madh si Shkodra apo si Korça, i bie të jenë në aktivitet rreth 2 mijë subjekte a më shumë, dhomat e tregtisë kanë të regjistruar si nja 100 a 150 të tilla(!) Dhe shtirja s'ka të mbaruar.


Shtirje e madhe ishte heshtja për krizën. Shumica e aktorëve që veprojnë në fushën e ekonomisë e të sipërmarrjes, kanë apeluar për hartimin e një pakete antikrizë. Edhe përfaqësuesit e FMN-së për Shqipërinë, i sugjeruan qeverisë të merrte masa afatgjata për të paraprirë efektet e krizës.


Prirja për t'u shtirur, nuk e la qeverinë të vështronte me modesti atë që po ndodhte. Pasojat e kësaj papërgjegjshmërie, përkthehen tani në rritje të kostos së jetesës, ndërkohë që refrene të tilla, si dyfishimi i pagave dhe i pensioneve, mbetën diku nëpër sallat dhe sheshet e mitingjeve elektorale.


Shtirja ka të bëjë drejtpërsëdrejti edhe me korrupsionin. Në emër të luftës kundër tij, lidershipi demokrat mori mandatin në vitin 2005. Por më pas e harroi krejt si temë. E megjithatë, i përkiti një mandat i dytë(!) Sërish për shkak të shtirjes.


Një demagogji e paparë, dhe më pas përqafimi me LSI-në (që gjithashtu shtiret) prodhuan një fitore gropa-gropa; në sfondin e shtirjes së përgjithshme, edhe pse pa ujë, edhe pse me një nivel varfërie e papunësie të lartë, edhe pse me shumë shkelje ndaj të drejtave njerëzore dhe pronës.


Shtirja bëhet edhe më e padurueshme kur në një heshtje të dhimbshme pranojmë se jetojmë nën tutelën e krimit. Për të arritur kulmin duke pranuar se "i mbaruam zgjedhjet" dhe kemi arritur standardet. Dhe nuk ka asnjë analizë dhe asnjë vështrim përpara pasqyrës...


Për shumë arsye, ky cinizëm dhe kjo mani shtirjeje, janë shprehje e vjetërsisë së politikanëve shqiptarë, një vjetërsi e frikshme. Dhe këtu nuk është fjala për moshën (një term që mund të diskutohet) se sa për ndjekjen e prirjeve të vjetra komuniste. Edhe formalisht, është e papranueshme që udhëhiqemi nga ish-komunistë.


Që prej vitit '91, në krye të të gjitha partive shqiptare janë po ata të para 20 vjetëve. Berisha në Partinë Demokratike; Gjinushi në Partinë Socialdemokrate; Xhuveli në Partinë Agrare; Godo në Partinë Republikane (me një performim tjetër). E kështu me radhë.


Në fillim të viteve '90, u mendua se në politikë do të zbatohej një shkollë e ndryshme nga ajo e ish-Byrosë Politike, ku postet ishin të përjetshme, gati trashëgoheshin. Shenjën e parë të ndryshimit, e dhanë studentët e dhjetorit, që më pas do të zëvendësoheshin nga kuadrovikë të ardhur nga skalionet komuniste e të ish-Sigurimit të Shtetit. Një tjetër shenjë të ndryshimit, e dha atëherë një nga patriarkët e Partisë Socialiste, por edhe i letrave shqipe, Dritëro Agolli.


Me siguri, lexuesit të nderuar i kujtohet kongresi i fundit i PPSH-së, kur militantët e zemëruar me fjalimin ndryshe të Dritëro Agollit, si kurrë ndonjëherë, iu sulën atij me fërshëllima. Më pas, ishte Partia Socialiste ajo që shkuli prej vetes konservatorizmin, frikën nga ndryshimi, për të lejuar fraksionet dhe mendimin ndryshe.


Por, shumë shpejt, në politikën shqiptare, në gjithë jetën e këtij vendi, do të rifitonte shtirja. Për ta ilustruar edhe njëherë këtë, po kujtojmë një fragment - nga fjala për Gërdecin - të një politikani që sot është pjesë e atij që e kemi cilësuar "Koalicioni për Pushtet".


Ai tha: "Ishte një tragjedi absurde...Banorët janë të interesuar t'u kthehet qetësia, por janë të interesuar të dinë pse ndodhi. Kërkojnë drejtësi; në këtë rast, në çfarë shteti po jetojmë(?) është pyetja e qytetarëve dhe...ushtria që ne paguajmë me taksa, na shërben për të mbrojtur apo për të na vrarë?"


Gjysmës së pyetjes që citon ky politikan - në emër të qytetarëve, kërkon të dijë pak a shumë se në çfarë shteti jetojmë - po i japim një përgjigje të pjesshme: Në një shtet që shtiret.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›