Shtohen ambientet për të moshuarit
Më shumë shërbime dhe ambiente për të moshuarit e braktisur. Rritja e çmimeve, emigracioni, lënia pas dore nga familjarët dhe rrethanat jetësore kanë bërë që numri i të moshuarve të vetmuar dhe në nevojë për mbështetje të rritet me shpejtësi në qytetin port. Aktualisht është vetëm një qendër ditore që ofron shërbim për një pjesë të tyre, e cila ka zgjeruar kapacitetet e saj fizike, ndërsa të moshuarit kërkojnë më shumë vëmendje në mënyrën e trajtimit. Një investim prej 187 mijë dollarësh i Bankës Botërore ka zgjeruar hapësirat e Qendrës Ditore të të Moshuarve në qytetin e Durrësit. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, kryebashkiaku Vangjush Dako, prefekti i qarkut Klodian Pajuni dhe kryetari i Këshillit të Qarkut, Seid Kërtusha, dhe shumë të tjerë kanë marrë pjesë në ceremoninë e përfundimit të punimeve të rikonstruksionit të kësaj qendre që ka hapur dyert e saj shtatë vite më parë. Zbutja e krizave sociale, veçanërisht e atyre që përjeton mosha e tretë, sipas përfaqësues së BB-së, është pjesë e politikave të këtij organizmi financiar me fondet e të cilit është dyfishuar kapaciteti i qendrës, si dhe janë përmirësuar shërbimet e ofruara për 110 të moshuarit që e frekuentojnë atë. Në fjalën e tij, kryetari i bashkisë Dako falënderoi për bashkëpunimin dyvjeçar me organizmin e lartë financiar në këtë qendër dhe rezultatet pozitive të këtij bashkëpunimi. Dako tha se në mbështetje të moshës së tretë bashkia do të rrisë numrin e qendrave komunitare, si dhe do të ofrohen për këtë moshë shërbimet në familje. Dreka e ngrohtë, asistenca mjekësore dhe psiko-sociale për të moshuarit ofrohen falas nga Bashkia e Durrësit dhe projekti i Shpërndarjes së Shërbimeve Sociale. Për këtë vit, bashkia ka akorduar një fond prej afro 8 milionë lekësh për Qendrën e të Moshuarve, të vetmen në qytetin bregdetar. Ministri Kosta Barka theksoi rëndësinë e procesit të decentralizimit të shërbimeve sociale, të cilat tashmë i kanë kaluar pushtetit vendor, duke ofruar më shumë mundësi për kujdes e shërbime për njerëzit në nevojë. Sipas ministrit, bashkëpunimi me BB-në do të vazhdojë dhe në Shkodër, Tiranë dhe Kavajë.