E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaj i ndotur ukrainas, edhe në Zvicër

Gjenevë. Skandali i vajit ushqimor me përmbajtje të lartë dioksinash ka përfshirë tashmë jo vetëm Shqipërinë apo Greqinë, por edhe Zvicrën, si dhe disa vende të Bashkimit Evropian.

Kanë qenë vetë autoritetet zvicerane ato që kanë pohuar këtë realitet, me të cilin duket se do të përballen të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, që importojnë vaj lule dielli nga ish- Republika Ruse, Ukraina.

Sipas ekspertëve zviceranë nga Instituti i Analizave, rezulton se 10 për qind e sasisë së këtij vaji ushqimor është i kontaminuar me lubrifikant makinash. Një përbërje e tillë, sipas specialistëve të këtushëm, rrezikon rëndë shëndetin e të gjithë konsumatorëve që përdorin këtë prodhim.

Sabrina Helfer, shefe e informimit në Zyrën Federale të Shëndetësisë Publike ka deklaruar posaçërisht për këtë ngjarje se "skandali i vajrave të kontaminuar me origjinë nga Ukraina ka përfshirë edhe vendin tonë dhe për këtë arsye janë alarmuar autoritetet dhe ekspertët sanitarë në Zvicër".

Sipas saj, ekspertët zviceranë, pas analizave në laboratorët përkatës, kanë vërtetuar prezencën e elementeve të tilla të rrezikshme për organizmin e njeriut siç janë dioksinat. Ndërkohë që konfirmimi për përzierjen e këtij produkti me lubrifikantë automjetesh, jo vetëm që e nxjerr jashtë listës së konsumit human, por e seleksionon automatikisht te produktet tejet të rrezikshme për përdorim të nevojave njerëzore.

Nga ana e tyre, strukturat përkatëse në Bashkimin Evropian kanë reaguar në mënyrë të menjëhershme. Ato kanë kërkuar që autoritetet ukrainase dhe prodhuesit e këtij lloj vaji, me këtë përqindje të lartë të dioksinave, të bëjnë tërheqjen e menjëhershme nga tregu.

Vendi, ku vetëm 22 vjet më parë e gjithë bota ktheu sytë e tmerruar nga shpërthimi i çernobilit dhe rreziku i rrezatimit bërthamor, tashmë është bërë sërish një burim shqetësimi, të paktën për mbarë Evropën. E pavarësisht kontrolleve të rrepta nga inspektorët evropianë të ushqimit, të instaluar në të gjitha pikat hyrëse të territorit të Unionit, vaji i kontaminuar duket se i ka kapërcyer këta kufij, duke u bërë prezent në vende të BE-së me reputacion për garancinë e cilësisë ushqimore.

E para nga vendet e Bashkimit Evropian që ka ngritur alarmin për këtë vaj të ndotur ka qenë Greqia. Ministria greke e Bujqësisë ka bllokuar dy ditë më parë, një sasi prej 1182 ton vaj luledielli, që në përbërjen e tij kishte përmbajtje të lartë dioksinash, pasi ka rezultuar se është përzier me vaj lubrifikant automjetesh në sasi të konsiderueshme. Një sasi e konsiderueshme e këtij vaji dyshohet se është importuar edhe drejt Shqipërisë, ndërkohë që vetë autoritetet shqiptare e mohojnë se në kufijtë territorialë shqiptarë të ketë hyrë vaj i ndotur për konsum human.

Reagimi

Faslia: Në Shqipëri nuk ka hyrë vaj i ndotur

"Teorikisht, ekziston mundësia që përmes sasive të mëdha që importohen nga jashtë vendit të ketë edhe produkte të falsifikuara dhe me cilësi jo të mirë". Ka qenë kjo përgjigjja e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit lidhur me skandalin e vajit të importuar me origjinë nga Ukraina, me destinacion Shqipërinë. Edhe pse ka tentuar që të qetësojë konsumatorët shqiptarë, zëvendësministri i Bujqësisë, Ndoc Faslia, sërish nuk ka mundur dot që të hedhë poshtë mundësinë e futjes në vendin tonë të një vaji me dioksina, për shkak të përzierjes me lubrifikantë makinash. Ai ka deklaruar se në Shqipëri nuk ka hyrë asnjë sasi vaji e kontaminuar, por kjo gjë, sipas ekspertëve të fushës, është e pamundur të thuhet me siguri. Kjo, për shkak se, sipas tyre, në vendin tonë mungojnë laboratorët e specializuar për të kryer analiza të tilla.

Pronari Petrit Hadërlli: Pas analizave nuk rezultoi asnjë element kancerogjen

Firma korçare importoi

18 ton vaj gjatë prillit

Vaji i importuar nga Greqia nëpërmjet firmës korçare "Dessina Ballkan" do të kontrollohet nga specialistët për të nxjerrë konkluzionet nëse ai është apo jo i rrezikshëm për shëndetin e konsumatorëve. Nisur nga alarmi i ngritur nga Greqia, se vaji që vjen nga rafineritë e Volosit në Greqi ka në përmbajtjen e tij elementë kancerogjenë dhe se mund të jetë i përzier me lubrifikantë makinash, janë kryer disa kontrolle ndaj firmës në Korçë, që ka importuar vajin. Por, sipas pronarit të firmës Petrit Hadërlli, ai kishte sjellë vaj nga firma greke vetëm në tre muaj pas kontratës që kishte me të, ndërsa importin e fundit e ka kryer më 17 prill në një sasi prej 18 tonësh. Ky vaj ka qenë i destinuar për tregun e rajonit të Korçës, ndërsa është bërë edhe shpërndarja e tij. Sipas pronarit të firmës, nga kontrollet dhe analizat pas marrjes së mostrave nuk ka rezultuar me përzierës apo me elemente kancerogjene.

Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit ka urdhëruar që një ekip kontrolli të kryejë analizat e vajit që importon firma "Dessina Ballkan", ndërkohë që nga analizat e mëparshme laboratorike të vajit nuk ka rezultuar me ngarkesa apo probleme të cilësisë. Siç thotë pronari, ai kishte ndërprerë marrjen e vajit të lulediellit nga importi. Sipas dokumentacionit që disponon firma korçare, malli nga Greqia ka hyrë nëpërmjet Doganës së Kapshticës. Sipas pronarit, kishte kohë që nuk importonte vaj luledielli, pasi ka pasur mungesë të tij në rafineritë greke dhe se ngarkesat e fundit kanë qenë me vaj kolze dhe pambuku. Petrit Hadërlli thotë se pritet të dalë edhe vlerësimi nga ana e laboratorëve, në rast se ka përzierës të dëmshëm apo kancerogjenë për konsumatorët dhe kjo përgjigje do të vijë javën e ardhshme. Nga ana e laboratorëve në Korçë konfirmohet se nga analizat e deritanishme nuk ka rezultuar të ketë përbërës apo elemente të dëmshme kimike për konsumatorin.

"Në tregun ushqimor shqiptar nuk ka hyrë asnjë sasi vaji i ndotur, jo vetëm nga Ukraina, por nga asnjë shtet tjetër", bënë të ditur përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, ndërkohë që autoritetet homologe të tyre në shtetin fqinj kanë bllokuar në Selanik rreth 1200 ton vaj lule dielli me destinacion Shqipërinë. Kjo sasi vaji, sipas autoriteteve greke, ka përmbajtje dioksinash tejet të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve. Sipas tyre, shkak për këtë gjë është bërë përzierja e vajit me lubrifikantë makinash.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›