Bllokohet e asgjësohet misri i skaduar
Është asgjësuar mbrëmjen e së enjtes një sasi misri, e cila ishte jashtë standardit. Kanë qenë një grup specialistësh të Inspektoratit Kombëtar të Farërave, si dhe specialisti i agronomisë në Drejtorinë e Bujqësisë në Fier ata që kanë kryer operacionin e asgjësimit të sasisë së misrit. Sipas kryeagronomit të Drejtorisë së Bujqësisë, Gani Saliko, sasia e misrit jashtë standardit ishte 8.2 kuintalë dhe përdorej kryesisht për mbjellje. Kjo sasi është bllokuar një javë më parë, pas një kontrolli të ushtruar në disa nga pikat ku tregtoheshin drithëra dhe farërat e tyre. "Gjatë një kontrolli rutinë në disa pika ku tregtoheshin drithëra dhe farëra të tyre, zbuluam sasinë e 8.2 kuintalëve me misër që rezultoi me probleme. Kjo sasi misri i përkiste shtetasit Rezmi Ferko dhe prej këtij jemi informuar se sasia ishte mbartur nga viti i kaluar. Si fillim premë procesverbalin për këtë person, që e ndalonte të tregtonte nga kjo sasi misri", pohon Saliko. Ai shton se "specialistë të Inspektoratit të Farërave kanë marrë mostra nga sasia e misrit që ishte e dyshimtë për nga cilësia dhe i kanë bërë analizat. Përgjigjja e këtyre të fundit, e ardhur mesditën e së enjtes, ka provuar se misri ishte jashtë standardit". Sipas drejtorit të Drejtorisë së Bujqësisë, Fatos Troka, mësohet se sasia prej 8.2 kuintalë misër është marrë nga magazina ku ka qenë e bllokuar për afro një javë dhe pasi është transportuar në një zonë periferike të Fierit është asgjësuar përmes djegies. Vetëm gjatë inspektimeve të kryera gjatë muajit maj të vitit 2008 janë identifikuar 12 pika të tjera, ku prej specialistëve të bujqësisë dyshohet se ka gjendje me drithëra jo të konsumueshme. Mësohet se të 12 pikat e tregtimit të drithërave dhe të farërave, ku dyshohet se ka mall të skaduar, janë përballur me procesverbalet e prerë për bllokim të aktivitetit të tyre. Ndërkohë që ka pasur një reagim edhe nga fermerët lidhur me cilësinë e farës për mbjellje, kryesisht të drithërave. Në fund të vitit 2007 dhe fillim të vitit 2008, kur dhe ishte fushata e mbjelljeve të drithërave, në dy faza është identifikuar se fara e skaduar e misrit dhe e grurit është shitur për fermerët. Për pikën e cila ka tregtuar këtë bimë jocilësore, Drejtoria e Bujqësisë në këtë qytet ka prerë tashmë gjobën dhe e ka përjashtuar atë për këtë vit nga licencimi.